Paraditen e kësaj të enjteje Partia Demokratike i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi që në seancën e radhës plenare të miratohet Kodi i ri Zgjedhor.
Nga foltorja e Kuvendit kryeministri Edi Rama iu drejtuar opozitës jashtëparlamentare duke i thënë se nuk kanë asnjë tagër për t’i dhënë urdhra Kuvendit se çfarë duhet të bëjë.
“Opozita jashtëparlamentare, çuditërisht kanë një vetëndjerje të habitshme që dërgojnë dhe ultimatume nga jashtë për çfarë duhet të bëjë Kuvendi, që edhe PS ka të drejtë të thotë diçka.
Nuk është nevoja për të vazhduar me provokime qoftë nga jashtë, qoftë nga brenda… Atyre jashtë u them se nuk keni asnjë tagër t’i jepni urdhra këtij kuvendi”.
Rama tha se si kryetari Ruçi ashtu edhe vetë ai, ndihen të zhgënjyer nga opozita, teksa kërkojnë miratim të “Zgjedhores” pa bërë asnjë ndryshim.
“Kryetari i kuvendit të cilit pashë se i është drejtuar një urdhër nga sekretari i Përgjithshëm i forcave çlirimtare, Gazmend Bardhi, por dhe unë, jemi të zhgënjyer nga fjalia e fundit që dhe ju zonja Hajdari keni firmosur, ku thuhet që kuvendi duhet ta votojë atë marrëveshje pa asnjë ndryshim dhe pa kushte. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik”.
Kryeministri komentoi edhe listat e hapura, aq shumë të kërkuara nga opozita brenda Parlamentit. “Listat e hapura e ndërlikojnë procesin e administrimit të votës. Po të shohim sa zgjat numërimi nuk e di se si dhe kur mund të mbarojmë një numërim të pakontestueshëm. Por publiku mendon se listat e hapura do të ishin zgjidhja më e mirë. Për t’iu vërtetuar juve se nuk i druhem listave të hapura, besoj se na takon ta bëjmë një diskutim në këtë fazë. A e arrijmë apo jo dot konsensusin kjo është tjetër gjë”, tha ai. “Duhet të bini dakord me numërimin partiak, sepse përndryshe i bie t’u themi atyre që janë jashtë “çfarë bëmë me ju nuk vlen se do e bëjmë me këta brenda”. Kemi një krushqi të dyfishtë, edhe me ata edhe me ju, që duhet ta bëjmë, sepse përndryshe na bie ajo për të cilën jemi të interesuar, që ka të bëjë me përmbushjen e një kushti”.