Kryeministri, Edi Rama është shprehur i hapur për ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që Presidenti të zgjidhjet me votim të drejtpërdrejtë nga qytetarët.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, të martën, Rama theksoi se për të shkuar në këtë pikë, duhet që Presidenti i zgjedhur nga populli të ketë disa “kompetenca” pasi aktualisht “Shqipëria është një republikë e pastër parlamentare”.
“Shqipëria mund të zgjedhë një president nga populli nëse do të ndryshojë ngrehinën e vet Kushtetuese dhe do t’i japë presidentit disa instrumente që të ketë peshën dhe zërin e vete bazuar në atributet që i jep Kushtetuta”, tha kreu i PS.
Kryeministri shtoi se kjo çështje mund të vendoset me referendum dhe pritet të jetë një nga pyetjet që do t’i drejtohet qytetarëve në Këshillimin e ardhshëm Kombëtar.
Për zgjedhjen e presidentit të ri që do të zëvendësojë Ilir Metën, Rama tha se do të ketë konsultime për emrat, por ato nuk do të bëhen publike.
Kryeministri Rama u shpreh se synohet të gjendet një figurë me integritet dhe jo vetëm të ishte më i përshtatshëm për atë rol se Meta. Sipas tij, 90% e shqiptarëve do të ishin më të përshtatshëm se Ilir Meta.
“Ajo çka e bën këtë moment shumë përcaktues për karakterin, për ambicien dhe profilin e PS-së, është se nuk mjafton thjesht të zgjedhim një person që do të ishte më i përshtatshëm për atë rol se Meta. Këtë do ta përmbushnin si kriter 90% e shqiptarëve, por është të zgjedhim një figurë që të luajë një rol në krye të shtetit për 5 vitet e ardhshme me integritet”, tha Rama.