Kryesore “Ilir Meta, presidenti më skandaloz”, Rama: Shëmbëlltyra më e keqe e opozitës

“Ilir Meta, presidenti më skandaloz”, Rama: Shëmbëlltyra më e keqe e opozitës

Nuk i ka kursyer sulmet ndaj Ilir Metës, kryeministri Edi Rama, në nisjen e procesit për identifikimin e kandidaturave për presidentin e ri të vendit.

Kreu i qeverisë u shpreh se Ilir Meta ishte presidenti më skandaloz që ka pasur vendi, i cili u kthye në shëmbëlltyrën më të keqe të opozitës.

Sipas Ramës, zgjedhja e Metës në krye të shtetit ishte e detyruar në atë kohë pasi mazhoranca nuk i kishte votat, por edhe sepse opozita ishte larguar nga Kuvendi.

“Meta, presidenti më skandaloz që ka njohur vendi dhe më i papërsëritshëm që Shqipëria ka pasur mbi krye. Zgjedhja e Ilir Metës ishte me detyrim-përcaktim për ne, pasi nuk i kishim votat dhe gjendeshim në një kontekst politik të jashtëzakonshëm, po të kemi parasysh që mungonte opozita zyrtare në sallë dhe nga ana tjetër vullneti dhe dëshira jonë ishte që zgjedhja jonë të binte mbi dikë që në një farë mënyre mund ta përfaqësonte dhe opozitën dhe në ato kushte ne zgjodhëm një president për opozitën, por mendonim që do ishte dhe për Shqipërinë. Rrjedhja e ngjarjeve tregoi të kundërtën për Shqipërinë dhe i dha vendit një president që ishte shëmbëlltyra më e keqe e opozitës më të keqe që ky vend ka pasur prej 1991. Sot jemi në kushte të tjera dhe jemi përballë një sfide që duhet ta shohim si një përgjegjësi më të madhe”, tha Rama.

“Meta dekoron të vdekurit”

“Shqipëria është i vetmi vend në botë ku falë Ilir Metës dekorohen të vdekurit dhe u jepen tituj dëshmorëve dhe heronjve të luftës. Kjo përbën një shkelje edhe më të rëndë se edhe shkelja e Kushtetutës në sensin e antologjikes”, u shpreh kryeministri Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, këtë të martë, në nisjen e procesit për identifikimin e kandidaturave për presidentin e ri të vendit.

“Nga njëra anë, të gjithë ata që e kanë lënë këtë sistem, përfshirë edhe ne që kemi pasur kohën e nevojshëm për ta ndryshuar, kanë kontribuar që Shqipëria të jetë vendi më qesharak në glob. Meta e ka bërë Shqipërinë më qesharake me dekret. Kjo do të ndryshojë. Kështu do të kemi një shtet më serioz, duke pasur një figurë më serioze”.

Rama kërkoi më tej nga deputetët e PS-së zgjedhjen e një emri që të jetë një president normal, siç e quajti ai.

“Do t’iu ftoja të gjithë ju, që përtej këtij procesi që nisim sot me propozimet e sekretuara, të jemi të gjithë aktivë në këtë proces për të dalë në konkluzione sa më të shëndetshme që të ofrojmë një figurë dinjitoze për kreun e shtetit. Nga A-ja dhe Zh-ja mes përcaktimit të kësaj figure, duhet të jetë një njeri normal. Na duhet një president normal në krye të shtetit, kjo është më e rëndësishmja. Për të gjetur një kandidaturë të një njeriu normal, duhet të niseni nga e kundërta e Ilir Metës. Me siguri do të gjeni jo pak”, tha Rama.