“Edi Rama deri tani është ‘i pastrehë’”. Ky është komenti i medias greke Protothema, e cila 5 ditë përpara takimit të kryeministrit me emigrantët në Athinë, raporton se organizatorët po vijojnë kërkimet për të gjetur një vend ku tubimi do të zhvillohet.
Thrilleri me gjetjen e hapësirës së nevojshme për tubimin e 12 Majit që nisi me refuzimin e bashkisë për të lejuar zhvillimin e tij në Teatrin e Krishtlindjeve në Galatsi vijon.
Tentativa e organizatorëve për të përdorur Stadiumin e Paqes dhe Miqësisë për takimin e Ramës me emigrantët në Athinë duket se nuk po ecën përpara dhe mund të mos finalizohet me sukses.
Nga organizatorët shqiptarë deri në mëngjesin e sotëm nuk është dërguar zyrtarisht asnjë kërkesë në drejtim të administratorëve të SEF-it, që do të çonte në mbledhje të bordit për të miratuar ose jo kërkesë. E po ashtu sipas Protothema nuk ka pasur as ndonjë ofertë financiare.
E vetmja lëvizje ka qenë ajo për sallën Melina Merkouri, e cila ka një kapacitet shumë të vogël, nën 1000 persona, ndërkohë që në fakt parashikohet që në tubimin e Ramës mund të marrin pjesë nga 4000 deri në 5000 emigrantë shqiptarë.
Është kërkuar sipas medias greke verbalisht nga pala shqiptare që të shfrytëzohet për këtë tubim, arena ku luan Olympiacos, por nuk ka pasur një kërkesë zyrtare me shkrim.
Drejtuesit e SEF-it duket se janë të palëkundur dhe kanë theksuar nevojën për të marrë një kërkesë me shkrim nga organizatorët shqiptarë dhe përgjigja nëse do të jetë pozitive do të ketë klauzola të forta.
Sakaq, gazeta helene Apogevmatini raporton se Rama ka kërkuar që takimin, i cili ndodh në njëvjetorin e arrestimit të Fredi Belerit ta realizonte në sheshin Sintagma ose sheshin Kotzia, por kryebashkiaku i Athinës nga radhët e PASOK, Haris Doukas, e ka refuzuar atë.
Sfida për të gjetur një vend për tubimin vjen në një kohë kur partia opozitare SYRIZA, por edhe deputetë të “Demokracisë së Re” e kanë cilësuar provokim takimin e Ramës.
Ndërkohë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis i dha fund zërave për ndalimin e vizitës së shefit të qeverisë shqiptare ditën e djeshme.
“Është e drejtë e tij, një zgjedhje që më duket e panevojshme, prandaj thashë që është një zgjedhje e panevojshme. Ne kemi probleme me marrëdhëniet greko-shqiptare”, tha kryeministri helen.