Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur deklaratave të opozitës jashtë Parlamentit dhe asaj “presidenciale” lidhur me ndryshimet kushtetuese për listat e hapura. Në një postim në Twitter, Rama shkruan se marrëveshjen me opozitën e bashkuar për Kodin Elektoral do ta zbatojnë.
“Shoh agjitim në radhët e opozitës jashtëparlametare dhe asaj presidenciale për hapin e hedhur sot në Kuvend drejt hapjes së listave! Jashtëparlamentares i kujtoj se kemi një marrëveshje e do ta zbatojmë në çdo pikë, po kjo s’do të thotë që sharjet e provokimet nuk e rrezikojnë”.
Ndërsa për opozitën presidenciale, Kryeministri thotë se Parlamenti është legjitim për çdo votim që do të bëjë.
“Presidenciales i kujtoj se Kuvendi është sovran, i dëgjon të gjithë po vendos vetë! Dhe hapja e listave për t’i dhënë mundësi edhe qytetarëve e jo vetëm kryetarëve të zgjedhin deputetë, si dhe garantimi i përfaqësimit të grave në kushtet kur listat hapen, i bëjnë mirë vendit”.
Për koalicionet parazgjedhore, Rama shprehet se nuk do të ketë asnjë ndryshim.
“As Jashtëparlamentarja, as Presidencialja s’duhet të merakosen për fatin e koalicioneve parazgjedhore, sepse askush nuk do t’i ndalojë të vazhdojnë ta ndajnë ombrellën e opozitës së bashkuar edhe në zgjedhje! Taksirat ta ndjekin parlamentin që e duan s’e duan është vendimmarrësi”!