Dy forcat kryesore të opozitës PD dhe LSI sipas kryeministrit Edi Rama po dëmtojnë çeljen e negociatave, ekonominë e turizmin.
Nga Kuvendi Rama u zotua se nuk do të ketë negociata për mandatin e maxhorancës.
Ai tha se nëse do të ketë një vendim nuk do të jetë për shkak të opozitës, duke iu betuar PD-së dhe LSI-së se siglat e tyre maxhoranca do i çojë për skrap.
“Karrigia e tyre është me afat, nuk është pa afat. Ata mund të kenë ende shpresë se këtu do vijnë nga qielli negociatorë edhe do na ulin në tavolinë dhe do na thonë hë tani djema si do ta normalizoni këtë punë. Ka vetëm një normalizim të mundshëm, të nevojshëm, të domosdoshëm, mbyllja e kapitullit 30 vjet unë po iki po s’më thirre. Unë nuk rri po s’më dhe atë që dua, unë po bëj këtë po s’më bërë atë. Ky kapitull do mbyllet tani, është koha për ta mbyllur. Çdo parti politike kur vjen në Kuvend duhet ta mendojë mirë.
Vjen në opozitë është në opozitë, nuk ka xinxri-finxri jo jam në opozitë por e dua pushtetin të nesërmen e betimit se dua zgjedhje të parakohshme. Ato mund të bëhen për propagandë por nuk mund të bëhen me metoda kërcënimi, me metoda shantazhimi, me metoda bllokimi. Ata mund ta dëmtojnë edhe çeljen e negociatave. Ata po e dëmtojnë. Ata mund ta dëmtojnë edhe ekonominë, edhe sezonin turistik, edhe imazhin e Shqipërisë, të gjitha po i bëjnë. Është përgjegjësia e tyre, turpin le ta mbajnë vetë.
Por një gjë duhet ta kenë shumë të qartë: PSSH e ka mision historik sot, të mbyllë këtë kapitull të gjatë zvarritjesh në histori jo po ulemi, jo po negociojmë, jo po të vijë mediatori, jo po të thërrasim këtë, jo po të marrim dy ambasadorë… Nuk ka më të tilla. Ka kushtetutë, ka mandat, ka ligj. Ne nuk e kemi marrë mandatin për të negociuar përpara se sa të vijnë zgjedhjet e vitit 2021. Ka apo s’ka zgjedhje të parakohshme këtë gjë kurrë nuk mund ta përcaktojë shantazhi, kërcënimi dhe asnjë lloj negocimi, zero. Kjo është pjesë e mënyrës se si ndërtohen strategjitë e brendshme por kjo është thjesht dhe vetëm vullnet i njëanshëm i PSSH në rast se do të gjykojmë ne por jo për shkak të tyre. I kemi mundur dhe ju bashkë me ata, ju kemi mundur, do ju mundim prapë dhe do ju mundim më thellë. Bëni mirë të ndaheni një orë e më para nga ta jo thjesht kush është brenda, kush është jashtë por t’i jepni Shqipërisë një zgjidhje tjetër që të ketë një mundësi tjetër se ato dy sigla ne do i çojmë për skrap. Kaq po ju them”- deklaroi Rama nga foltorja.