Histori Shefqet Vërlaci, kush ishte njeriu më i pasur i Shqipërisë dhe dy...

Shefqet Vërlaci, kush ishte njeriu më i pasur i Shqipërisë dhe dy herë kryeministër

Drejtoria e Arkivave ka kujtuar ditëvdekjen e shqiptarit më të pasur të kohës së Ahmet Zogut, Shefqet Vërlacit, njëherësh njeri me shumë pushtet dhe politik. Ishte dy herë kryeministër.

Si sot, më 21 korrik 1946, ndërroi jetë Shefqet Vërlaci.

Lindi në Elbasan më 15 dhjetor të vitit 1878 dhe mësimet e para i mori në vendlindje. Arsimin e mesëm e kreu në qytetin e Manastirit. Më pas, për studimet e larta Vërlaci shkoi në Stamboll, ku ndoqi në shkollën e lartë të administratës në Mylqije.

Në moshën 32-vjeçare u kthye në Shqipëri dhe u zgjodh deputet i Elbasanit në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Dy vjet më pas, u bë pjesë e parisë së Elbasanit që përkrahu pavarësinë e Shqipërisë. Në 21 gusht 1914, Vërlaci ishte anëtar i delegacionit që i dorëzoi në Gjermani kurorën e fronit të Shqipërisë Princ Vidit. Në zgjedhjet e 5 prillit të vitit 1921, u zgjodh deputet.

U zgjodh për herë të parë si kryeministër në vitin 1924 (3 mars, 27 maj). Do të zgjidhej për herë të dytë në krye të ekzekutivit në vitin 1939, duke ushtruar në të njëjtën kohë edhe detyrën e Ministrit të Punëve Botore. Njihej si njeriu më i pasur në Shqipëri me 3700 hektarë në pronësi ose rreth 1 për qind të fondit të përgjithshëm të tokës në Shqipëri”, shkruan shkurt Arkivi për Vërlacin.

Në fund të luftës, para vendosjes së regjimit komunist, Vërlaci u largua nga Shqipëria për në Itali, së bashku me djalin e  tij Ismailin dhe vajzën Behije (ish-e fejuara e A.Zogut). Në emigracion u bë një nga organizatorët e Grupit Kombëtar Indipendent në Romë, por nuk pati kohë të vihej në krye të tij, për shkak të përkeqësimit të shëndetit. La në Shqipëri gruan me dy vajzat, Fezilet e Mehtap.

Shefqet Vërlaqi ndërroi jetë në një spital të Zyrihut, e më pas u varros në Romë. Vdekja e tij nuk pati jehonë, edhe për faktin që qeverisja komuniste e kishte shpallur prej kohësh “kriminel lufte” e kishte kërkuar ekstradimin e tij në Shqipëri, gjë që e kërkoi deri në një vit pas vdekjes.