Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video në rrjetet sociale mëngjesin e kësaj të diele ku është ndalur tek situata e pandemisë dhe vaksinimi në vendin tonë. Kreu i qeverisë e konsideron këtë kohë tejet të vështirë, por thotë se nuk është dorëzuar.
Ai shprehet se qeveria i ka siguruar vaksinat kundër të gjitha parashikimeve dhe se për pak muaj, kjo vuajtje do të mbarojë. Rama thekson se në Verë do të ketë turistë nga e gjithë bota, ndërkohë që njerëzit do të mund të lëvizin pa orare kufizuese.
“Kjo kohë që po e lëmë pas ishte tejet e vështirë, por ne nuk jemi nga ata që dorëzohen, jo. I siguruam vaksinat kundër të gjitha parashikimeve. Për pak muaj kjo vuajtje e madhe do të mbarojë. Shqipëria këtë Verë do të presë turistë nga e gjithë bota. Hotelet, restorantet, klubet, çdo mal e çdo plazh të Shqipërisë do të jenë të hapura pa orare kufizuese. Do të kthehemi përsëri në jetën tonë të dëshiruar e do të vazhdojmë me forcë e me shpejtësi përpara. Kemi kaq shumë punë për të çuar deri në fund e plotë të mira e gëzime për të ndarë me njëri tjetrin. Shqipëria është e ardhmja jonë”, shprehet Rama në video.
Kujtojmë që këtë të diel Shqipëria nis vaksinimin masiv.