Duke shfrytëzuar praninë e përfaqësuesve të Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinës në diskutimet për përshpejtimin e konkurrencës dhe inovacionit në Ballkanin Perëndimor kryeministri Edi Rama, iu rikthye temës së “Minishengenit”.
Këmbëngulës në idenë se nuk ecet para me sytë nga e shkruara, kreu i qeverisë, theksoi se Bashkimi Evropian do të jetë më i qetë në anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, nëse vendet e rajonit ndërveprojnë mes tyre.
“Do të krijojmë një hapësirë ku mosmarrëveshjet nuk janë si deklarata para luftërave apo situata përkeqësuese, por pjesë e hapësirës ku nuk jemi të detyruar të biem dakord për çdo gjë, por për të gjetur një mënyrë për të mos rënë dakord. Pasi në fund të ditës cilësia e jetës nuk bazohet sa shumë biem dakord, por se si përmes mosmarrëveshjeve mësojmë më shumë për njëri tjetrin dhe vazhdojmë duke mos pasur asnjë pengesë. Qasja që Bashkimi Evropian do të ketë ndaj nesh do të jetë e lidhur me kapacitetet tona për të ndërvepruar me të tjerët. Sa më shumë bashkëveprojmë aq më shumë BE do të respektojë përpjekjet tona dhe do të jetë më e qetë për të na futur brenda”, tha Rama.
Për ta plotësuar idenë e tij, kryeministri Edi Rama shembullin konkret e kishte në krahun e tij të majtë, Majlinda Bregun ish-ministre e qeverisë Berisha e cila drejton Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal.
“Faleminderit e dashur armike që ke ardhur këtu si mike. Të gjithë armiqtë e mëparshëm mund të kujtojnë të shkuarën, por duhet të shohin tek e ardhmja“, i tha Rama, Bregut.