Aktualitet “Titi i Ukës”, këshilltari bashkiak që duhet të justifikojë miliona euro pasuri

“Titi i Ukës”, këshilltari bashkiak që duhet të justifikojë miliona euro pasuri

Operacioni Forca e Ligjit ka vendosur në skaner dy personave me precedent penale në Lezhës, duke iu dërguar formularët për të justifikuar pasurinë.

Bëhet fjalë për Astrit Limanin dhe Edmond Sufjan, të dy të dënuar për trafik të lëndëve narkotike.

Limani nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare. Ai është arrestuar vitin e kaluar, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar nga Gjykata e Milanos me 13 vite burg për “Organizatë kriminale me qëllim trafik të lëndëve narkotike”.

Ai njihet ndryshe në Lezhë edhe si “Titi i Ukës”.

Limani rezulton i arrestuar më herët edhe në Serbi. Por, pas lirimit, ai ishte kthyer në Shqipëri, dhe në vitin 2013 rezulton edhe si anëtar i Këshillit Bashkiak në Lezhë.

Ndërsa në vitin 2015, Gjykata e Lezhës vendosi sekuestrimin e një pasurie prej 10 milion eurosh të Limanit, ku përfshiheshin tre pallate me 230 apartamente banimi dhe një hotel.

Më herët OFL zbarkoi edhe në qytetin e Beratit ku sekuestroi 5 automjete luksoze, të cilat u sollën në Tiranë.