Kryeministri Rama, teksa ka folur në foltoren e sallës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, nuk ka lënë pa përmendur edhe akuzat se ai dhe qeveria e tij kanë ndërhyrë në fushatën elektorale në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Ramës, ai dhe qeveria e tij nuk janë përfshirë në zgjedhjet e fqinjit, por nguroi të vijonte të komentonte këtë çështje, pasi sipas tij, nuk ka asnjë qëllim që të ndikojë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, në mënyrë që shqiptarët të shohin vetëm interesin e republikës ku ata jetojnë.
“Pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë e atij shteti dhe as nuk do të kishin dot një pluralizëm demokratik, brenda perimetrit të partive shqiptare, sa t’i lejonin vetes shpërfilljen e rrezikut të mbytjes në lugën e ujit të sherrit për më shumë pushtet, duke e nënvlerësuar mundësinë reale të dobësimit politik të faktorit shqiptar.
Ky mund të jetë rasti, por nuk është momenti që unë ta shtjelloj më tutje këtë që sapo thashë, sepse nuk dua në asnjë mënyrë, që një shprehje e plotë e opinionit tim sot, të lexohet si ndërhyrje në fushatën zgjedhore të vendit fqinj, ku ne nuk kemi asnjë qëllim që të ndikojmë në vendimmarrjen e zgjedhësve të atij vendi, qoftë edhe të shqiptarëve, të cilëve u them që vetëm të shohin interesit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që sot është më shumë se kurrë, edhe e tyrja, krah për krah me bashkëqytetarët e tyre maqedonas, e të gjitha minoritetet që jetojnë atje, e ta mbrojnë republikën e tyre ashtu si edhe pozicionin e tyre si shqiptarë nga ndikime të jashtme, që synojnë gjërat që nuk kanë asnjë lloj lidhje me stabilitetin dhe mirëqenien e shtetit fqinj, e që në asnjë rast, nuk mund tu sjellin shqiptarëve asgjë më të mirë se çfarë kanë arritur, por mund tu sjellin atyre dëme mbi atë se çfarë kanë arritur.
Ali Ahmetit pa diskutim mund t’i bëhen kritika plot brenda vendit, është e drejta dhe detyra e kujtdo që është në opozitë, më shumë nga kushdo që është në pushtet, edhe pse Ali Ahmeti nuk është ulur kurrë në një karrige zyre, përveç atij kolltuku të vjetër të selisë së partisë së tij, pa dyshim që i takojnë atij në radhë të parë sulmet dhe kritikat jashtë rreshtave të partisë së shumicës shqiptare që ai udhëheq.
Por, ka një gjë që nuk e luan dot as topi, kur themi në shqiptarë, që është se historia do ta thotë me zë edhe më të fortë se sa kushdo sot dhe që është se, atë që ka bërë Ali Ahmeti me pushtetin, për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në shtetin fqinj dhe për ngritjen lartë të shqiptarëve në sytë e krejt botës, të gjithë ne të tjerët nuk mund ta diskutojmë, por vetëm duhet ta pranojmë dhe nëse jemi të mençur, ta marrim si një mësim, nga një shqiptar nga më të mirët.
Dhe në mbyllje të kësaj fjale këtu, kur Tiranës i shtohet një qytetar nderi i përmasave të Ali Ahmetit, unë dua të sjell fjalën e mençur të një politikani dhe udhëheqësi të madh: Djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”, tha ndër të tjera kryeministri Rama në fjalën e tij.