Kryesore Ali Ahmeti nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës, Rama: Një nga...

Ali Ahmeti nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës, Rama: Një nga shqiptarët më të mirë

Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, iu dha ditën e sotme titulli “Qytetar Nderi” i Tiranës.

“Mirëseerdhe në familjen tonë të madhe të Tiranës, Ali Ahmeti”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj që i dorëzoi dokumentin dhe si simbolikë një jelek të Tiranës.

Ahmeti në fjalën e tij tha se Shqipëria mëmë i ka mbajtur gjithmonë afër shqiptarët. Ai i premtoi kryebashkiakut Veliaj se do të jetë një qytetar i disiplinuar, por mbi të gjitha tha se këtë nder e ndan me dëshmorët që për flamurin dhe gjuhën dhanë jetën.

“Kjo nënë, Tirana, Shqipëria, ka qenë e varfër, por ne na ka mbajtur ngrohtë në gjirin e saj. Me qindra janë dëshmorë, heronj të kombit që nëna këtu në prehrin e vet i ka mbajtur. Do doja t’ju falenderoj, por një fjalë e një plaku të urtë na tha: Mos e falenderoni njëri-tjetrin se të gjithë keni punuar në arën tuaj, vetëm punë e mbarë të thuhet për të gjitha punët kur bëhen…

Do përpiqem Erion të jem qytetar i disiplinuar. Çfarëdo aktiviteti që ju keni unë do të jem pjesëtar pasi është tanimë edhe qyteti im zyrtarisht. Këtë nder unë e ndaj me të gjithë bashkëluftëtarët e mi, patriotët, të burgosurit politik në shtetin tim dhe Kosovë. E ndaj me tre mijë mbetje mortore që i kam në vendlindjen time pranë nënës shqiptare sepse për atë flamur janë vrarë, për atë gjuhë janë vrarë dhe ju më keni nderuar mua, ju faleminderit shumë, suksese paçi në të gjitha fushëveprimtaritë e jetës”, tha Ahmeti.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili pranoi se vetëm një njeri si Ali Ahmeti mund ta kthente sërish në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Rama foli me superlativa për figurën e Ali Ahmetit, duke e cilësuar atë si një nga shqiptarët më të mirë të historisë.

“Sot Tirana nderon një shqiptar ndër më të mirët të historisë shqiptarë. Një histori me mundime të mëdha dhe për shkak të fuqive të mëdha për të cilët Shqipëria ishte një bezdi. Nuk besoj se ka komb tjetër që e ka vuajtur më shumë përçarjen mes vetit. Ali Ahmeti një shqiptar që iu ngjit maleve të rezistencës për liri dhe të drejta në Maqedoni. Por me armë nuk kërkoi gjakderdhje, por vendosi në rendin e ditës domosdoshmërinë e pranimit të shqiptarëve. Armët në krahun e asaj rezistence nuk synonin ndarjen e Maqedonisë, por bashkimin e saj në të njëjtin flamur të popullit shqiptar dhe maqedonas. Rruga që hapi Ali Ahmeti ishte ajo e një misioni patriotik paqeje. Armët nuk ishin një shaka aventurierësh, por deklarata e sosjes së durimit nga shpërfillja diskriminuese. Është ende herët për t’u shkruar historia e këtij shqiptari ndër më të mirët. Ali Ahmeti është mjeshtri më i madh i përdorimit të armës së diplomacisë. Pa Ali Ahmetin, shqiptarët në RMV nuk do të ishin në ditën e tyre më të mirë”, tha Rama.

Vendimi për dhënien qytetar nderi Ali Ahmetit u mor dje nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, pas propozimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Ky titull iu akordua në shenjë falënderimi për gjithë kontributin e tij në komunitetin shqiptar të Maqedonisë së Veriut.

Ali Ahmeti është një prej figurave më të rëndësishme në skenën politike dhe shoqërore të Ballkanit Perëndimor.

Ai njihet si njeriu i punëve të mëdha për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ahmeti është pagëzuesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të Maqedonisë. Propozimi për shpalljen e tij qytetar nderi u bë mbështetur në rolin e tij si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), ku ai luajti një rol kyç në konfliktin e armatosur në Maqedoninë e Veriut në vitin 2001.

Gjithashtu, në vlerësim të rolit të tij si lider i partisë BDI (Bashkimi Demokratik për Integrim), duke ndihmuar në përpjekjet për të zgjidhur konfliktet etnike dhe për të ndërtuar një shoqëri më të harmonizuar dhe më të bashkuar.

Kontributi i Ahmetit reflekton vlerat e përbashkëta shqiptare për respekt dhe mirënjohje ndaj atyre që kanë dhënë kontribut në promovimin e paqes, stabilitetit dhe përparimit të shqiptarëve në politikën rajonale.