Një kafe me disa banorë të Njësisë 3 në Tiranës. Kështu e ka nisur ditën Kryeministri Edi Rama dhe jo rastësisht. Në këtë periudhë fushate elektorale shoqërohet nga kryebashkiaku Erion Veliaj që kandidon për një mandat të dytë. Folën për investimet në zonë, por edhe për lejet e ndërtimit në projektin e Unazës së madhe.
Si në një bisedë me kafe përpara nuk mungoi edhe kurioziteti i banorëve për jetën private të kryeministrit e në veçanti për emrin e djalit të tij.
Fillimisht sqaroi se Zaho është emër i përdorur edhe nga myslimanët edhe nga të krishterët. Sa për angazhimin e tij në politikë, i biri nuk e di që është kryeministër.
“Ai nuk e di se ça punoj unë”, tha Rama.
Të tilla bashkëbisedime mëngjesi kryeministri Rama i ka bërë edhe në prag zgjedhjesh të tjera elektorale.