Kryeministri Edi Rama u ndal edhe njëherë te çështja e punësimit, gjatë punimeve të ditës së tretë të Kongresit të PS. Sipas kreut të qeverisë, papunësia në vend është në nivelin më të ulët në 25 vitet e fundit, por shumë njerëz të papunë duan vetëm të punësohen në shtet.
“Janë shumë që ankohen që nuk ka punë. Por mes atyre, pjesa më e madhe kërkon punë në shtet. Ne kemi një problem me punën që nuk paguhet se do të duhej të paguhej më shumë dhe pagesat e drejta. Këto janë probleme që duhet të përballemi. Shqipëria ka nivelin më të ulët të papunësisë në 25 vjet. Shumë thonë që papunësia është ulur se kanë ikur njerëzit. Përqindja nuk nxirret mbi bazën e njerëzve që janë këtu, por nga shuma e përgjithshme e popullatës”, tha Rama.
Kreu i socialistëve shtoi se çdo qeveri dëshiron që të rrisë pagat për qytetarët e saj, por kjo gjë kërkon durim dhe implementimin e reformave që po kryen mes të cilave ajo në drejtësi. Rama shtoi se drejtësia e kapur dhe aksesi i krimit në ekonomi janë dy bllokues të mëdhenj.
“Ne nuk mundet t’i kapërcejmë shkallët me shpejtësi, sepse çdo shkallë ka mundimin e vet. Rritja e rrogave nuk është një çështje që varet në dëshirën tonë. Rritja e mbështetjes për paga apo bursa, pensione do të vijë si rezultat si pasojë e rritjes ekonomike. Rritja e mundësive ekonomike vjen si rezultat i gjërave që po bëjmë, por që kërkojnë durim. Reforma në drejtësi do të rrisë mundësitë ekonomike dhe lufta kundër pasurive të krimit do të rrisë mundësinë ekonomike të vendit. Drejtësia e kapur dhe aksesi i krimit në ekonomi janë dy bllokues të mëdhenj”, përfundoi Rama.