Politika Rama kërkon durim dhe sqaron: Gjobat, për ata që kërcënojnë shëndetin e...

Rama kërkon durim dhe sqaron: Gjobat, për ata që kërcënojnë shëndetin e popullit

Kryeministri Edi Rama, në një reagim në rrjete sociale kërkon durim teksa u kthen përgjigje të gjithë atyre që pyesin për planin ekonomik të daljes nga kriza humanitare e shkaktuar si pasojë e koronavirusit. Rama thotë se do të bëhet gjithçka e mundur në këtë aspekt.

“Duke ndjekur komentet tuaja u them të gjithë atyre që pyesin për planin ekonomik të daljes nga kjo krizë humanitare që të bëjnë pak durim! Na duhen edhe disa ditë, ju lutem durim! Ju kujtoj tërmetin dhe ju përsëris: t’i bëjmë gjërat hap pas hapi që të mund të shkojmë në destinacion! Kini besim se çfarë është në mundësitë e kësaj toke, nuk do të mbetet pa u bërë!”

Sa i përket gjobave të miratuara këtë të diel, Kryeministri thotë se ato janë për të gjithë ata persona që duke shkelur rregullat e vendosura me qëllim ndalimin e përhapjes së koronavirusit, kërcënojnë shëndetin e qytetarëve.

“Ndërsa kujt ankohet për gjobat e rënda të aktit normativ i them se gjobat nuk janë për popullin, po për shkelësit e rregullave të kësaj lufte dhe nuk janë për të mbledhur shteti para, po për të mbrojtur popullin nga shkeljet që në këtë situatë lufte kërcënojnë shëndetin e tij! Sa për një shembull: shkeljet sot kanë qenë afër zeros! Të vazhdojmë siç e kemi nisur, të bëjmë durim, të mos kërkojmë në një situatë lufte të zgjidhim brenda tre ditësh, të gjitha problemet e pasluftës!”