Kur na ndajnë më pak se pesë muaj nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit, partitë politike kanë ndezur motorët e fushatës, dhe deri më tani janë zbardhur disa emra që mund të kandidojnë në bashkitë kryesore të vendit.
Në kampin e PS-së, kryeministri Edi Rama duket se po ndjek një strategji të impelemntuar edhe më parë, duke rikthyer disa deputetë të tij në bazë, ashtu siç bëri me Armando Subashin në Fier.
Një nga emrat e deputetëve më të përfolur si kandidat në zgjedhjet lokale është ai i Pjerin Ndreut në Lezhë, me ligjvënësin e PS që kurrë nuk e ka mohuar dëshirën për të përplasur “brirët” me Fran Frrokun, e arrestuar më parë për abuzimet me pronat.
Duket se as kryeministri Rama nuk e mohon dëshirën për të luajtur kartën “Ndreu” në një bashki që PS e ka synuar gjithmonë.
Në një takim me qytetarët në Lezhë, shefit të qeverisë i kanë propozuar nga podiumi deputetin Pjerin Ndreu si kandidat për bashkinë.
Mark Gjoka, një rapsod i njohur i këngës mirditore, që ka mbajtur edhe postin e përgjegjësit të Pallatit të Kulturës në Lezhë, tregoi historinë e kalvarit për të marrë vendimin e shkarkimit të tij e për t’iu drejtuar më pas gjykatës.
Ai tregoi se gjeti zgjidhje përmes platformës së “Bashkëqeverisjes” brenda 10 ditëve, për një problematikë që kishte zgjatur me vite. Dhe duke përshëndetur Ramën me këngën që e ka bërë të njohur “Del syzeza majës shkamit”, ai propozoi Pjerin Ndreun si kandidat të PS-së.
Edi Rama nuk u rreshtua kundër propozimit të rapsodit, por kërkoi që kjo kandidaturë të konfirmohet në fund të marsit, kohë kur ai ka thënë se do të publikojë listën e të gjithë kandidatëve.
“Nuk kemi ardhur këtu për të zgjedhur kandidatin, edhe unë me ty jam, por duhet t’i shpallim kandidaturat të gjitha bashkë, jo dikush po dhe dikush jo që tani. Kjo nuk është fushatë elektorale, por takime për të thënë se aty ku kemi bashkinë, çfarë kemi bërë dhe çfarë do të bëjmë më mirë dhe aty ku nuk e kemi, se çfarë kemi bërë si qeveri dhe se çfarë mund të bëjmë nëse kemi dhe bashkinë”, tha Rama.
Madje, për të treguar interesimin e Ndreut për banorët e Bashkisë së Lezhës, Kryeministri Rama tha se dy kanë qenë shqetësimet e tij.
“Banorët më thanë se kush na çon të fund të rrugës, ka mbështetjen tonë, kush nuk na çon, me atë nuk kemi punë. Unë u thashë se do ta bëjmë rrugën, votat i çoni ku të doni, por do ta bëjmë. Rruga fillon për pak ditë dhe unë do të marr një palë gërshërë të mëdha dhe do të presë shiritin ky këtu (Pjerin Ndreu), sepse unë nuk pres shirita inaugurimesh. Për investimin në sistemin e transmetimit të energjisë dhe për rrugën e Torovicës, (Pjerini) ka meritë të veçantë se ma ka rokanisur kokën non stop. Tani mbetet vetëm të presë shiritin bashkë me ata që kanë kapërcyer të majtën dhe të djathtën në Torovicë dhe të bëjmë rrugën”, theksoi kreu i qeverisë.