Kryeministri Edi Rama dhe Frederik Ndoci në Podcastin ‘Flasim’ kujtuan momentet kur të dy ishin studentë në Universitetin e Arteve dhe iu bashkuan lëvizjes studentore të viteve 1990, kundër regjimit komunist.
Rama kujtoi sesi nxiti firmosjen e një peticioni ndaj Ramiz Alisë, ku kërkohej të dënohej figura e Enver Hoxhës dhe të liroheshin të burgosurit politikë, por sipas tij Sali Berisha nuk donte dhe këtu nisi ndarja.
“E kam të fiksuar kur sollëm Ardian Klosin, sollëm Kasem Trebeshinën, i pari i burgosur politik që e shihnim si person real, se partia e Ritës (Rita Ndoci, motra e Frederik Ndocit) ishte kundër nxjerrjes së të burgosurve. U fol aty që u godit Enveri, entuziazëm i madh. Mbaj mend që shkruaja fjalën dhe e fshihja, ishte hera e parë që emri nuk ishte në kontekst sa i madh, por ishte halli, dhe nuk e kam shkruajtur dhe e hoqa emrin se më dukej se do ta lija në një kompjuter dhe çfarë do të ndodhte. Kur jashtë ishin makinat e degës së brendshme. U thashë të lutem mos ikni pa firmosur peticionin për presidentin Ramiz Alinë në atë kohë. Të rishikohet figura e Enver Hoxhës dhe të lirohen të burgosurit politikë. Aty ishin 700 vetë. Peticioni u firmos nga 200 vetë. E çuam tek Presidenca, më pas e çuam tek Rilindja Demokratike, gazeta që nuk e botoi. Më pas lideri legjendar (Sali Berisha) i Ritës kur kemi qenë tek Stadiumi që do mbanim fjalën tha: Ju nuk keni vend këtu se doni të nxirrni llumin e shoqërisë nga burgu, të burgosurit politikë dhe Kasem Trebeshina i shkretë atëherë tha: Ikim se fëmija paska lindur i vdekur”, u shpreh Rama.