Kryesore Rama, kunja Metës: Raporte normale, përveç kur shkruan letra

Rama, kunja Metës: Raporte normale, përveç kur shkruan letra

Kryeministri Edi Rama nuk ka lënë pa thumbuar Presidentin e vendit Ilir Meta gjatë intervistës dhënë për gazetaren Ilva Tare në Ora News.

I pyetur për propozimin e mbetur pezull për kreun e SHISH, Rama tha se nuk do të tërhiqet nga emri i Helidon Bendos që sot drejton këtë institucion edhe pa firmën e presidentit të vendit.

“Drejtori i Shërbimit është drejtori i Shërbimit në detyrë. Duhet të marrë miratimin e Presidentit dhe nuk do të ketë propozim tjetër nga unë. Presidenti ka kërkuar kohë dhe ai të marrë kohë sa të dojë. Unë e kam propozuar si drejtor të Shërbimit Informativ”, tha Rama.

I pyetur për situatën e kriminalitetit, Rama ka përdorur sërish batutën e preferuar të ish-kreut të LSI-së.

“Nuk ka kriminalitet të lartë në vend. Me qetësi dhe dashuri!”.

Tare i kujtoi se kjo batutë i takon Metës, por sipas Ramës tashmë ai e “ka harruar këtë frazë”.

Sa i takon marrëdhënieve mes tij dhe presidentit të vendit, Rama tha se “me të ka raporte normale, përveçse kur ai ulet të shkruajë letra” duke iu referuar letrës që Meta i dërgoi presidentit Trump pas votës së Shqipërisë në OKB.

Rama ka qenë i drejtpërdrejtë për LSI-në gjatë kohës që drejtohej nga Meta.

“LSI-ja kësaj radhe haptazi dhe jo duke hedhur gurin me qetësi dhe fshehur dorën “me dashuri”. Kur e ka bërë këtë? E ka bërë gjatë gjithë kohës. Që nga fillimi që ne kemi nisur procesin e Reformës në Drejtësi. “Ka hedhur gurin” me qetësi dhe ka “fshehur dorën” me dashuri në raport me Reformën në Drejtësi. Ka qenë vazhdimisht një qenie e dyzuar, tjetër në publik, tjetër në tavolinë”,  tha Rama.