Kryeministri Edi Rama u shpreh nga Malësia e Madhe se PD dhe mbështetësit e saj që shkojnë qorrazi pas drejtuesve, nuk do ta ndalin dot drejtësinë e re.
Kjo deklaratë erdhi pasi demokratët i bllokuan rrugën në hyrje të Shkodrës tek Ura e Bahcallëkut. Sipas tij, frika nga humbja në zgjedhje, i bën ata të rrinë në rrugë.
Por kryeministri deklaroi se zgjedhjet do të mbahen dhe po ashtu ai tha se edhe negociatat do të hapen dhe integrimi nuk do të bllokohet. Në turin e tij “Bashkia që Duam”, në Malësinë e Madhe, Rama tha e ka vizituar këtë rajon më shumë se cdo kryeministër tjetër dhe është bërë për këtë bashki më shumë se sa është bërë më parë nga të gjitha qeveritë.
Një pjesë të mirë të fjalimit, Rama e ka pasur për deputetin Paulin Sterkaj, ku sipas tij, nëse mblidhen gjithë debatet që bën ai me të, dalin më shumë se sa ka bërë debat PD që nga data e krijimit. Shefi i qeverisë tha se do të donte t’i kishte ata në garën e 30 qershorit, por pohoi se nuk i detyron dot.
Rama u shpreh se nuk e plotëson dot kërkesën e tyre që të ikë ai, pasi për tu bërë kryeministër, ai ka marrë votat për të bërë punë.
“Shumëkush nga ata që u shkojnë mbrapa edhe Lulit edhe Monikës, besojnë tek filxhani, dhe është e vështirë tu mbushet mendja. Po ata që nuk bezojnë në filxhan, ta harrojnë se do të shtyhen zgjedhjet, se Luli do marrë gjysmën e qeverisë. Pas zgjedhjeve, një gjë që do të ndodhë, do të rregullohet drejtimi i PD, po kjo është puna e tyre. Ka një ligj, që të çon në burg, nëse prish zgjedhjet, nëse prek qendrat e votimit. Unë nuk e di ku do gjenden ata budallenj që do të bëjnë burg për Lulin. Të dalësh nga shtëpia, të dëmtosh familjen tënde, e të bësh burg se Luli e Monika duan pushtet, unë se di kush është ai, ku do ti gjejnë”, u shpreh Rama.