Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Parlamenti se “kush ka vënë pasuri kriminale, nuk do të shpëtojë”.
“Me anë të amnistisë për shqiptarët e ndershëm që deklarojnë pasurinë, bëhen hapa përpara drejt një ekonomie të shëndoshë. Vendi nuk mund të mbajë në kurriz peshën e pasurive kriminale. Ne kemi nisur një betejë që do ta çojmë deri në fund. OFL-ja ka në shënjestër vetëm ata që janë dënuar nga ligji. Kursimeve të ndershme të emigrantëve, do të hapim rrugën për futjen nëpër banka. Sigurisht, që nga amnistia përjashtohen ata që kanë të ardhurat nga krimi. Amnistia e përgjithshme fiskale do të votohet këtu në Parlament”, tha Rama, i cili premtoi se edhe gjyqtarët e prokurorët do të përgjigjen për pasuritë kriminale.
“OFL-ja është operacion policor dhe nuk ndodh në vend demokratik që të zhvillohet ndaj politikanëve ose gjyqtarëve. Për ta ka faza dhe do të japin llogari për pasurinë. OFL-ja ndan paranë e fituar nga puna me paranë kriminale. Këto të ardhura ka ardhur koha të formalizohen me një komision me një taksë të favorshme, si kudo në botë. Nuk ka asnjë tolerancë nga shteti. Do të kërkohet që të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të deklarojnë të ardhurat që kanë nga jashtë vendit. Biznesmenët që kanë asete jashtë vendit duhet t’i deklarojnë e mos bëjnë shaka, se mund t’ju kushtojë shtrenjtë”, shtoi kryeministri.