Kryesore Rama për koronavirusin: Mos u alarmoni nga lajmet dhe mos shpenzoni lekë...

Rama për koronavirusin: Mos u alarmoni nga lajmet dhe mos shpenzoni lekë për maska

Kryeministri Edi Rama bëri thirrje nga foltorja e Parlamentit që qytetarët të mos alarmohen nga lajmet për koronavirusin. Sipas kryeministrit, 97,7% e njerëzve e përballojnë këtë virus të ri pa pasoja për jetën.

“Vetëm 2,3% e të prekurve kanë humbur jetën, ndërkohë që 97,7% e përballon pa pasoja për jetën. Kjo duhet mbajtur mirë parasysh, pasi fjala vdekje dhe lajme për të vdekurit janë shumë më shumë sesa fjala shërim dhe lajme për të shëruarit”, theksoi Rama.

“Mos harxhoni lekët me maska, nuk i shërbejnë njerëzve të shëndetshëm. OBSH ka thënë se maskat i duhen vetëm të sëmurëve dhe mjekëve që i shërbejnë atyre”, shtoi kreu i qeverisë.

Sipas tij, deri tani janë testuar 31 persona dhe kanë rezultuar negativë në vendin tonë.

“I gjithë sistemi është në funksion të parandalimit të përhapjes. Përsëris që qytetarët të mos alarmohen, t’i qëndrojnë larg lajmeve dhe informacioneve jozyrtare. Vendosni “maska” për portalet që flasin vetëm për vdekje dhe fundin e botës”, deklaroi Rama.