Kryeministri Edi Rama, në fjalën hapëse të Asamblesë së Partisë Socialiste, deklaroi se “30 Qershorin e fituan qytetarët edhe për ne, ndërsa gjithë çka vjen pas 30 Qershorit duhet ta fitojmë ne për qytetarët”.
“Shqipëria u kërcënua, u godit, u lëkund, por nuk u rrëzua falë qëndrimit të SHBA dhe BE në krah të shqiptarëve, në mbrojtje të parimeve më themelore të demokracisë”, theksoi Rama.
“Barra e kurimit të plagës që hapi gjysma e parë e vitit është e gjitha e jona për momentin. Duhet të investohemi shumë më shumë në shërbim të qytetarëve, në nivel qendror dhe vendor. Nuk fituam një mandat për bashkitë e 4 viteve të ardhshme. Por, Shqipëria fitoi luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve. Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, parti molotovësh dhe bojkot zgjedhjesh. Ata që ndërmorën këtë aventurë e pësuan jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët që vijnë pas”, theksoi kryeministri.
Edi Rama paralajmëroi edhe anëtarët e partisë: “Kush nuk i përgjigjet ritmit të 30 Qershorit, nuk do të jetë më në projektin e vitit 2021. Kush nuk ndjek ritmin, do të dalë jashtë kësaj familjeje”.