Kryeministri Edi Rama theksoi sot se është me rëndësi vetëkarantimi, kryesisht i atyre personave që vijnë nga zonat e prekura nga koronavirusi, në veçanti personat që vijnë nga Italia e Veriut.
“Një tjetër element i rëndësishëm dhe duhet të merret në konsideratë, është vetëkarantinimi, pra vetëizolimi i personave që vijnë nga zonat e kuqe. Vetëkarantinimi është një element që gjendet edhe në ligjin tonë aktual, shoqërohet edhe me masë administrative për thyerjen e këtij rregulli. Por duhet të jemi realistë që çdo individ të kuptojë që ka një rol në këtë përballje dhe se për të ruajtur veten e të tjerët, është me rëndësi që të ndjekë procedurën e karantinimit. Konkretisht si pikë referimi ne kemi zonën përtej detit, në veriun e Italisë”.
Në mbledhjen e qeverisë pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus në vendin tonë, Rama i bëri apel edhe mediave për vetëpërmbajtje.
“Është një përgjegjësi e madhe e jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve, që mediat të vetëpërmbahen dhe të kenë edhe dijeni se në këtë situatë, armiku më kërcënues nuk është koronavirusi, por paniku. Paniku që stimulohet nga lajmet e rreme, nga ekzagjerime të paarsyeshme, nga burime dhe komente të paautorizuara, jo shkencore, jo profesionale. Besoj që nuk është e tepër të thuhet se në këtë moment duhet jemi aleatë“.
Për të gjithë qytetarët, apeli i kryeministrit ishte për qetësi, ndërsa solli në vëmendje se niveli i vdekshmërisë tregon se është një epidemi e përballueshme.
“Ju them të gjithë qytetarëve se faktet, që burojnë nga analiza dinamike në nivelin global e të gjitha zhvillimeve bazuar në shifra konkrete mes të prekurve, është se nuk është murtaja e mesjetës. Mos harroni se në vitin 2008-2009 ka pasur një epidemi, H1N1 që ka marrë gjysmë milioni njerëz në mbarë botën, që do të thotë se nuk jemi përballë diçkaje se ka gjësend tjetër, përveçse një të panjohur që lidhet me faktin se bota nuk e ka sot një vaksinë ndaj këtij virusi. Por ama niveli i vdekshmërisë, prekjeve, tregon qartë që është një epidemi që mund dhe duhet ta përballojmë, si shumë vende të tjera, me qetësi, vetëpërmbajtje dhe arsye të fortë. Të gjithë jemi të ekspozuar ndaj riskut, pa diskutim, nuk ka asnjë dallim shtrese, moshe, etj, po të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se ku ky virus prek më rrezikshëm”.
Rama njoftoi mëngjesin e kësaj të hëne mbylljen e institucioneve arsimore për një periudhë 2 javore dhe pezullimin e fluturimeve drejt Italisë së Veriut dhe atyre që konsiderohen si zona të kuqe deri më datë 3 Prill.
Dy personat e parë të konfirmuar me koronavirus në vendin tonë janë babë e bir, 54 dhe 28 vjeç, të cilat kishin qëndruar disa ditë në Firence dhe kishin udhëtuar drejt Tiranës nëpërmjet Hanit të Hotit me makinë personale.