Kryeministri Edi Rama mbrojti masat shtrënguese të vendosura nga qeveria për të parandaluar përhapjen e gjerë të koronavirusit në vendin tonë.
Sipas tij, masat ndihmuan drejtpërdrejt në uljen e agresivitetit të pandemisë, pasi në të kundërt mund të ishim duke numëruar mbi 100 viktima në këto momente.
“Deri tani masat shtrënguese na kanë ndihmuar jashtëzakonisht në uljen e agresivitetit të armikut, i cili deri në këto momente na ka dëmtuar më pak nga parashikimet tona. Prandaj faleminderit nga zemra që të gjithëve që keni bërë të mundur këtë arritje që është deri tani madhështore. Krahasojeni tani me katastrofën ku mund të gjendeshim nëse nuk do të kishim marrë masa apo nëse ju nuk do të kishit rezistuar kaq supermirë. Larg qoftë për vetë lidhjen e ngushtë me Italinë jo vetëm do ishim duke numëruar mbi 100 të vdekur deri tani, por do ishim duke përjetuar tmerrin e mijëra të vdekurve deri në fund të luftës”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se momentalisht sistemi shëndetësor në vend është i qëndrueshëm dhe se po vijohen me marrjen e masave për krijimin e stoqeve për pajisjet dhe medikamentet e nevojshme.