Kryesore Rama mbledh Komitetin Teknik: Deri në 18 maj do hapet 90% e...

Rama mbledh Komitetin Teknik: Deri në 18 maj do hapet 90% e aktiviteteve

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje online me Komitetin Teknik të Ekspertëve për situatën që po kalon vendi për shkak të pandemisë së Covid-19.

Sakaq, Rama iu ka kthyer një përgjigje akuzave të Partisë Demokratike sa i takon drejtimit dhe rolit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për situatën e COVID-19. Në një mbledhje online me këtë komitet, kreu i qeverisë parashtroi disa nga akuzat e opozitës, siç është dhe fakti se pse nuk bëhen më shumë tamponë. “Doktoreshë Mira, flisni ju, meqë jeni dhe kryetarja e Komitetit. Se ata thonë kush është kryetari. E donin burrë, po ne suksesin e kemi me gratë”, tha Rama. Kryetare e Komitetit të Teknik të Ekspertëve është zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Takimi

Kreu i qeverisë u njoh nga mjekët ekspertë të fushës dhe anëtarët e tjerë të Komitetit Teknik me zhvillimet e fundit dhe diskutoi me ta për masat që duhen ndërmarrë në një kohë kur nga java tjetër nis lehtësimi i masave dhe për shumë aktivitete të tjerë.

Sipas kryeministrit Edi Rama është e rëndësishme që njerëzit të vazhdojnë të ndjekin rregullat e thjeshta për të shmangur goditjen nga një valë e dytë e koronavirusi.

Raportimet e anëtarëve të Komitetit Teknik

Mjeku Tritan Kalo: “Hapja të mos nënkuptojë shqyerje. Njerëzit duhet të vazhdojnë të jetojnë në një mjedis të ri tashmë sipas Covid-19. Nëse zbatohen këto rregulla atëherë do të mbetemi në situatë normale.  Them se jemi në momente oportune që duhen ruajtur dhe nuk duhen shkelur”.

Kryeministri Rama: “E kam dëgjuar opinion tuaj dhe jam i shqetësuar se njerëzit mund të harrojnë që e kemi mes nesh këtë armik të padukshëm dhe nëse nuk zbatojmë rregullat e thjeshta mund të biem pre e një invazioni tjetër. Sepse vala e dytë, siç kam dëgjuar, vjen si pasojë e sjelljes keq të njerëzve ndaj virusit që aktualisht ndodhet mes nesh. Njerëzit të ndjekin rregullat e thjeshta në ambientet e mbyllura me shumë njerëz”.

Silva Bino: “Kemi trefishuar numrin e testimeve, kemi një indikator 5% pozitivitet. Ky indikator duhet të ruhet. Po marrim masa të rrisim numrin e testime dhe të gjejmë raste aktive të virusit. Po përdorim disa metodika të reja, duke integruar mjekun e familjes. Kemi përforcuar shërbimin e gjurmimit të kontakteve. Kemi dy qytete ku ka transmetim të virusit që janë Tirana dhe Kruja. Qytetet e Gjelbërta janë pa raste, por edhe aty do të rrisim testimet”

Doktoresha Albana Fico: “Prioritet është gjurmimi i thelluar i rasteve. Po monitorojmë raportin e rasteve pozitive dhe numrin e të shëruarve. Po rrisim testimet pa diskutim. Duhet të angazhohemi për një fushatë komunikimi në dritën e masave lehtësuese. Besoj se kjo fushatë senzibilizuese do të na duhet. Kanë përfunduar protokollet për hapjen e bizneseve të reja”.

Kryeministri Rama: “Deri në 18 maj ne do të jemi mbi 90% të liruar nga masat. E vetmja gjë që mbetet shqetësim është transporti publik me autobusë dhe furgona. Po kërkojmë një formulë kompromisi lidhur me këtë. E gjitha pjesa tjetër do të çlirohet ndjeshëm duke evituar grumbullimet me mbi 10 persona. Do të jemi tërësisht të ekspozuar dhe duhet të kemi një intensitet komunikimi”.

Doktoresha Najada Çomo: “Numri i personave ka qenë mbi 250 të shtruar, 170 janë shëruar, 7 persona janë në terapi intensive, të tjerët janë të rënduar. Këtyre personave iu ofrohet shërbimi i duhur në bazë të protokollove ndërkombëtare. Vëmendja është e lartë”.