Kryeministri Edi Rama mblodhi sonte në mesnatë qeverinë për situatën emergjente të krijuar pas dy tërmeteve të fuqishme që tronditën sot Durrësin dhe Tiranën.
Kreu i qeverisë falënderoi të gjithë ata që reaguan në mënyrë të menjëhershme në shërbim të qytetarëve.
“E bëjmë këtë mbledhje të jashtëzakonshme, sepse u gjetëm në një situatë të jashtëzakonshme për shkak të një tërmeti që ka tronditur vendin dhe që ka alarmuar të gjithë njerëzit. Ata që jetojnë në Shqipëri dhe ata që jetojnë jashtë vendit. Fatmirësisht nuk ka asnjë viktimë dhe kjo është një arsye për të marrë frymë në mënyrë të lehtësuar. Ka pasur persona të plagosur dhe ata kanë marrë ndihmë mjekësore, urojmë që të gjithëve shërim të shpejtë. Do të jemi me kapacitet të plotë. Dua të falënderoj jo formalisht, të gjithë trupën e bluzave të bardha dhe të gjithë trupën e kujdesit shëndetësor për organizmin e mirë për gjatë gjithë orëve pas ngjarjes”, tha Rama
Kryeministri shtoi se reagimi i tyre vlen si një shenjë inkurajuese, ndërsa e mbylli fjalën e tij kështu: “Falënderoj për gatishmërinë e reagimit dhe koordinimin e informacionit që është gjëja më e vështirë në këto raste. Dhe për ata që ndjekin dhe e kanë të nevojshme të ndihen të informuar”.