Kryeministri Edi Rama, Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi janë bërë bashkë në këtë 5 Maj, për të nderuar Dëshmorët e Kombit.
Së bashku ata kanë mbajtur homazhe në nder të Dëshmorëve të Kombit, pranë Varrezave të Dëshmorëve.
Në një deklaratë për gazetarët, kreu i shtetit Ilir Meta u shpreh se duhet të kuptohet se liria dhe pavarësia janë marrë njëherë e përgjithmonë dhe se duhet të tregohet vigjilencë që ato të mos cënohen në këto kohë demokracie.
“Një 5 Maj i veçantë për shkak të pandemisë dhe kufizimeve, duke na e bërë të pamundur të shkëmbejmë nga afër përshëndetjet me veteranët dhe familjet e tyre. Kjo ditë na fton të mos bëhemi mendjelehtë dhe ta marrim pavarësinë dhe lirinë, si të marra njëherë e përgjithmonë, sepse nëse nuk jemi gjithmonë vigjilentë, janë gjithmonë të cenueshme dhe cënojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve, ndaj edhe një herë sot dua të apeloj për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe edukimit të fëmijëve me luftën Nacional Çlirimtare, me të vërtetat dhe sakrificat e saj të jashtëzakonshme”.
I pyetur për një qëndrim lidhur me vendimin që KLGJ pritet të marrë sot sa i takon mandatit të kreut të KED, Ardian Dvorani, si dhe akuzave që ky i fundit ka bërë ndaj tij, Meta zgjodhi që të mos përgjigjej.
“Sot është Dita e Dëshmorëve, e nderimit tonë për ata që kanë lënë jetën dhe gjithçka të shenjtë për vendin tonë, kështu që është një ditë për të shprehur jo vetëm përulësinë ndaj veprës së tyre, por për të përshëndetur familjarët e tyre, familjet që sakrifikuan gjatë asaj lufte. Është një ditë për t’u angazhuar në mënyrë që Shqipëria e lirë dhe demokratike, që ata dhanë jetën, të realizohet lehtësisht”.
Pa koment ka mbetur edhe pyetja nëse do ta vijojë betejën kundër asaj që ai e quan “grusht shteti”.