Aktualitet Dy fjalë për ish-minatorin, Isa Adem Goxha!

Dy fjalë për ish-minatorin, Isa Adem Goxha!

Ndodh që thjeshtësia e disa njerëzve, të ndjek kudo, edhe pse disa prej tyre janë larguar nga kjo jetë! Një prej tyre është edhe minatori Isa Goxha. Erdhi në moshë shumë të re në Memaliaj, së bashku me disa përmetarë të tjerë, të cilët filluan të punonin në Sektorin e I-rë, të qymyrgurit që nxirrej përtej lumit Vjosë, me vendndodhje në veriperëndim të pyllit të Karaules, ku mbaron edhe kufiri i këtij pylli.

Nuk e di pse në kujtesën time shfaqet shpesh ky minator dhe kjo pyetje më ka shoqëruar shpesh! Ndoshta ngaqë kemi qenë komshinj në pallatet përbri njëri-tjetrit dhe nga ballkoni i shtëpisë time, mund të shikoje banorët e pallatit të tij, që hynin e dilnin apo kur frekuentonin ballkonet e tyre përgjatë stinëve të pranverës dhe verës.

E shikoja shpesh edhe xha Isain, kur kthehej nga puna dhe dukej shumë i lodhur, jo vetëm nga parafytyrimet që të jepnin kominoshet xhinks të punës dhe çizmet që mbante kur kthehej nga puna, por më shumë qetësia e këtij njeriu që dukej më shumë, sikur ishte gjithmonë i zhytur në mendime! Me djalin e tij të madh, Vezirin, bashkëmoshatar dhe shok lagjeje me kujtime nga më të bukurat të asaj moshe dhe ndodhte në disa raste, kur babai i tij Isai, kthehej në pasdite nga puna dhe në hyrjen përpara pallatit të tij ku ne luanim, na përshëndeste me zërin që i shkonte përshtat qetësisë së tij duke e shoqëruar edhe me një buzëqeshje të lehtë, por shumë të çiltër. Më pas, me atë trupin e tij shtatlartë, ngjiste shkallët një e nga një.

Isha vetëm 8-vjeç, kur dëgjova që xha Isai ishte sëmurë dhe gjendja e tij po përkeqësohej shumë dita-ditës. Veziri dukej i mërzitur, por ishte një fëmijë 9-vjeç dhe ndoshta me moshën nuk e ndjente aq shumë. Nëna e tij, Sherua, dukej shumë e mërzitur nga gjendja shëndetësore e rënduar të bashkëshortit të saj. Këtë ndjesi ma jepte sa herë që e shikoja dhe në ballkon që e frekuentonte shpesh, e cila rrinte mendueshëm!

Pas disa muajsh, mësova se, xha Isai kishte ndërruar jetë dhe shikoja që në shtëpinë e tyre shkonin për ngushëllim, të afërm, komshinj, shokë pune dhe bashkëqytetarë, pasi memaliotët u ndodheshin pranë njëri-tjetrit, në raste të tilla, duke e konsideruar veten pjesë të një familje të madhe.

Ishte hera e parë që përjetoja i tronditur një rast të tillë, aq më shumë, ku shoku të lagjes dhe të fëmijërisë kishte humbur babanë e tij. Nuk më besohej, por kur shikoja njerëz që rrinin në ballkon dhe të tjerë që hynin e dilnin, aq më shumë kur shkova tek ballkoni ku ishte edhe hyrja e shtëpisë së tyre, u trondita më shumë kur dëgjoja edhe të qarat. Veziri, hynte dhe dilte, siç bëjnë të gjithë fëmijët, por ai dukej më i matur në veprime, ndoshta nga qetësia e tij e trashëguar nga i ati! Folëm pak dhe u largova, pasi e ndjeva që nuk kishim çfarë te flisnim, përveç heshtjes që thyhej shpeshë nga lotët që i vishnin dhe rrëshqisnin prej syve të tij!

Të nesërmen, ishte dita që do të përcillej dhe përpara pallatit ishin me qindra memaliotë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Si fëmijë që isha, dola në ballkonin tim për të parë, ndoshta edhe për kureshtje të moshës, pasi ishte hera e parë që po përjetoja largimin e një të njohuri, aq më shumë komshi dhe babai i një shoku të moshës. Ishte tragjike, kur shikoje se në një kuti të formës së një shtrati të mbyllur, ndodhej një trup pajetë dhe të tjerë e mbanin, për të zbritur ato shkallë, që deri dje i ngjiste dhe i zbriste vetë me atë qetësinë dhe buzëqeshjen engjëllore.

Veterani i minierës Isa Goxha, u nda nga kjo jetë më 5 Maj të vitit 1975. AI u largua nga kjo jetë fizikisht, por shpirtin e kishte aty në shtëpinë e tij, pasi la pas 6-fëmijë, ku fëmija i vogël, ishte 6-muajsh në barkun e nënës!

Minatori Isa Goxha, u lind më 5 Prill të vitit 1933, me prindër Merjeme dhe Adem Goxha, nga Podgorani i Përmetit. Krijon familje me Sheron, e bija e Rukie dhe e Riza Zeka nga Hormova e Tepelenës. Familja e tyre bëhet më e madhe me ardhjen në jetë edhe të gjashtë fëmijëve të tyre të cilat janë: Lulëzime, Vezir, Bukurie, Vullnet, Lindita, dhe Lorenc. Nga fëmijët e tij, Lulëzimja ka punuar në repartet e sipërfaqes së minierës, ndërsa Veziri ka punuar nëpër thellësitë e nëntokës. Djali i tij i vogël, Lorenci, që nuk arriti dot të njihte dhe të gëzonte qoftë edhe një përkëdhelje të babait të tij, ka mbaruar studimet e larta për drejtësi dhe ushtron aktualisht profesionin në studion e tij ligjore G&B, si avokat pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë dhe Tiranë.

Sot ndihem i lehtësuar nga çfarë shpreha përgjatë shkrimit, pasi nuk do ndihesha mirë nëse do e linim në harresë kontributin e këtij njeriu të thjeshtë, por me zemër të madhe që ka dhënë qysh në fillimet e minierës dhe hedhjes së themeleve të qytetit tonë të dashur Memaliaj!

I paharruar emri dhe kontributi i veteranit të minierës së qymyrgurit të Memaliajt, minatorit Isa Adem Goxha!

Edmond Ismailati

Nju Jork, 5 Maj 2020.