Kryeministri Edi Rama ka akuzuar Presidentin Ilir Meta se ka shpërdoruar postin në krye të shtetit për të shërbyer në favor të LSI-së. Gjatë vizitës në Vlorë ku ndodhej për të parë nisjen e procesit të vaksinimit, Rama tha se Meta ka shkuar në këtë qytet “natën me makina pa protokollin përkatës”.
Sipas kreut të qeverisë, Meta e ka kuptuar që zgjedhjet kanë për të qenë një katastrofë për LSI-në.
“Presidenti ka kohë që s’është më President. Është thjesht një shpërdorues i funksionit të Presidentit në favor të ndërmarrjes që administrohet formalisht nga e shoqja. E mirëkuptoj sepse vjen në Vlorë natën fshehurazi shkon lart e poshtë natën. Shfaqet me makina pa as protokollin përkatës. Takon njerëz po mesa duket jo aq shumë dhe i duket e zbrazur komplet Shqipëria sepse shumë pak njerëz tanimë besojnë tek LSI-ja. Në këto kushte duhet ta mirëkuptoni të gjithë se i duket si një katastrofë sepse në fakt sipas të gjitha gjasave zgjedhjet do të jenë një katastrofë për LSI-në”, tha Rama.