Aktualitet Rama nderon komandantin e Guardia di Finanza

Rama nderon komandantin e Guardia di Finanza

Në Kryeministri është zhvilluar ditën e sotme ceremonia e nderimit të Komandantit të Përgjithshëm të Guardia di Finanza Italiane, Gjeneral Armate Giuseppe Zafarana, me Yllin e Madh të Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur se gjenerali Zafarana “ka dhënë një kontribut të çmuar në një front ku janë angazhuar shumë njerëz” teksa shtoi se gjenerali “ka udhëhequr dhe një përpjekje të tërë për të ndihmuar pozitivisht në përpjekjen tonë kundër kultivimit të kanabisit”.

Edi Rama: Një mik dhe një ndër përfaqësuesit e çmuar të një vendi që është ndoshta më i afërti shpirtërisht dhe padyshim ndër më dashamirësit e Shqipërisë, Italia. Gjenerali Zafarana është një ndër shumë të dërguarit e shtetit italian që në nder të uniformës së tyre, ka kontribuar por njëkohësisht dhe ka dëshmuar një histori të gjatë prej 3 dekadash përpjekjesh të përbashkëta dhe miqësie gjithmonë e më të fortë dhe mbi të gjitha është një përfaqësues i denjë të petkut të Guardia di Finanza. Një trupë e shumëvlerësuar dhe e shumërespektuar për ndihmën që na ka dhënë në këtë fazë kaq të rëndësishme të historisë tonë. 

Unë shpresoj që në kraharorin e tij ka ende vend dhe për një dekoratë tjetër e cila do të jetë aty për të dëshmuar nga njëra anë lidhjen e tij me vendin tonë dhe nga ana tjetër, respektin e mirënjohjen e vendit tonë për të. Gjenerali ka dhënë një kontribut të çmuar në një front ku janë angazhuar shumë njerëz. Ai ka udhëhequr dhe një përpjekje të tërë për të ndihmuar për të impatuar pozitivisht në përpjekjen tonë kundër kultivimit të kanabisit përmes survejimit ajror dhe për të bërë të mundur që rezultatet tona të jenë gjithnjë e më kuptimplota.

Ne jemi shumë të nderuar që ta kemi këtu sot, por dua që ta shfrytëzoj këtë moment për të ju shprehur mirënjohjen të gjithë efektivëve italianë që kanë shërbyer në këtë vend dhe kanë ndihmuar për këtë vend në mënyrë të paçmuar.