Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, kryetari i kësaj force politike Edi Rama tha se qytetarët duhet të zgjedhun krahun e historisë më 14 Maj.
Zgjedhjet vendore, Rama i konsideron si moment vendimtar për bashkëpunimin mes qeverisë dhe pushtetit lokal.
E në këtë aspekt, kryesocialisti është i bindur se kandidatët e majtë do të shpërblehen për punën që kanë bërë gjatë këtyre viteve, por sipas tij, vota do të jetë edhe motivim për në vijim.
Kreu i ekzekutivit foli edhe për situatën ekonomike të Shqipërisë, të cilën e krahasoi me daljen nga një kthesë e madhe. Rama theksoi se synimi i qeverisë së tij është rritja e pagës minimale në 450 mijë Lekë të vjetra në vitin 2025 dhe ambicia në 600 mijë Lekë të vjetra.
“Unë besoj që do kemi një rezultat shumë kuptimplotë për të gjithë dhe mbi të gjitha një rezultat aq sa do na shpërblejë për punën që kemi bërë aq do na motivojë për punën që duhet të bëjmë.
Kundërshtarët tanë të vërtetë janë problemet që ka çdo bashki dhe janë problemet që kemi për të adresuar dhe zgjidhur si vend. Jemi në një moment të jashtëzakonshëm për nga shumë elementë sepse po dalim nga një kthesë e madhe e fortë në planin ekonomik. E ndoqët raportin e fundit të Bankës Botërore për rajonin dhe vlerësimet shumë domethënëse për ekonominë shqiptare ashtu sikundër përtej raportit të Bankës Botërore apo analizës së strukturës dhe qëndrueshmërisë së ekonomisë, fakti që jemi në një moment ku kemi nisur rritjen më të lartë të pagave historike në këto 3 dekaada flet qartë për rritjen e mundësive të ekonomisë, fakti që kemi një rritje të pagës minimale përtej parashikimeve në programet elektorale ku paga minimale parashikohej të arrinte në 38 mijë lekë brenda 2025 ndërkohë që sot jemi në 40 mijë lekë dhe brenda 2025 duam të shkojmë në 45 mijë lekë. Ambicia jonë është që më shpejt se vonë të arrijmë 60 mijë lekë pagë minimale.
Këto fakte flasin për një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe domosdoshmërinë për të shkuar vetëm përpara. Në 14 Maj do vendoset fuqia e bashkëpunimit mes qeverisë qëndrore dhe qeverive vendore, këto zgjedhje kanë dhe një komponent tjetër që nuk mund ta anashkalojmë dhe askush nuk mund ta fshehë që në 14 Maj njerëzit duhet absolutisht të qëndrojnë në krahun e historisë dhe krahu i duhur nuk është thjesht PS por është të qëndrosh në krah të aleancave strategjike të Shqipërisë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.