Në një intervistë që kryeministri Edi Rama, ka dhënë për rrjetin televiziv, Al Jazeera thotë se Shqipëria nuk është gati për anëtarësim në BE. Ai pranon se kjo vjen pjesërisht për shkak se institucionet politike të vendit shihen si të pazhvilluara. Duke folur për situatën politike në vend, Rama thotë se ndryshimi i datës së zgjedhjeve në vend do të minojë demokracinë.
“Nëse do vendosim precedentin që një parti, dy parti, tre parti, një palë, vendos të imponojë kushtet e zgjedhjeve, atëherë këtë precedent do e kemi për shumë vite në vazhdim. Në fund të fundit, zgjedhjet nuk bëhen që të vendosin politikanët, por që njerëzit të vendosin për politikanët.
Mendoj se Shqipëria ka një problem me krimin e organizuar dhe korrupsionin, si çdo vend që nuk është ende një shtet modern dhe funksional. Prandaj jemi në këtë proces, prandaj nuk jemi anëtarë të BE-së, prandaj nuk po pretendoj se është një padrejtësi që nuk jemi anëtarë sot.
Ne duhet të përgatitemi, të modernizohemi, të luftojmë krimin dhe korrupsionin me vullnet të fortë, por gjithçka ka të bëjë me institucione shumë të forta dhe mekanizma shumë të fuqishëm dhe funksional në çdo drejtim.
Kur e kthej kokën 5 vjet e gjysmë pas dhe shoh nga kemi ardhur, kemi bërë gjëra domethënëse. Por kur shoh përpara, ku duam të shkojmë dhe ku dua ta çoj vendin, ka shumë për të bërë” – tha Rama.