Politika Rama në Brukseli: Jemi shumë të interesuar të shohim metodologjinë e re...

Rama në Brukseli: Jemi shumë të interesuar të shohim metodologjinë e re të zgjerimit

Pas takimit informal të zhvilluar mes krerëve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili ishte thirrur nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, Kryeministri Edi Rama foli për gazetarët.

Rama u shpreh se Shqipëria është shumë e interesuar të shohë dhe diskutojë metodologjinë e re të zgjerimit.

“Të gjithë u ulën paksa me vështirësi sot në Bruksel, kështu që është një lloj sinjali se mbërritja për ne nuk do të jetë e lehtë. Por, në të njëjtën kohë i jemi shumë mirënjohës Presidentit të Këshillit të ri Europian dhe të gjithëve këtu që po bëjnë shumë përpjekje për t’i dhënë shtysë procesit.

Në të njëjtën kohë, jemi shumë të interesuar të shohim dhe të diskutojmë metodologjinë e re, e cila shpresoj se do të rezultojë si një platformë mirëkuptimi brenda shteteve anëtare.

Po kështu, për ne, Shqipëria, nesër është dita e madhe sepse kemi konferencën e donatorëve për përballimin e situatës pas tërmetit. Ne po shpresojmë se do të gjejmë mjaftueshëm solidaritet dhe mbështetje për të ecur përpara me rindërtimin”, u shpreh Edi Rama.