Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar ka folur për protestën që po zhvillon opozita përpara Kryeministrisë.
Rama ka thënë në mbledhjen e grupit se PD ka kohë që kërkon alibi për humbjen e radhës.
“Situata duhet pare si shtyse për të vazhduar intensivisht organizimin e punës për zgjedhjet. Për të komunikuar gjithandej me njerëzit. Ne s’kemi çfarë ndryshojmë. Duhet të vazhdojmë normalisht detyrat tona qoftë në Parlament, qoftë në qeveri.
Praktikisht protesta është organizuar për qëllime që nuk thuhen nga ana e tyre, por që dihen.
Edhe bojkoti i Parlamentit është një mekanizëm i qarte për të bllokuar përzgjedhjen e komisioneve të vetingut, që duhet të fillonte javën e ardhshme. Formulat janë të tilla që të dyja komisionet e vettingut, qoftë shkalla e parë, qoftë apeli nuk formohen dot pa opozitën.
Nëse bojkoti nuk do kishte ndodhur, mund të ishte e vështirë të provohej se protesta bëhet për të bllokuar vettingun. Por bojkoti është prova që gjithçka ka të bëj me vettingun.
PD ka kohë që kërkon alibi për humbjen e radhës, por ne s’kemi ç’bëjmë. Ata kërkojnë gjera që nuk varen nga ne.
Ne nuk i kemi penguar, madje i kemi kërkuar që çdo shqetësim që ka të bej me zgjedhjet të adresohet në komisionin e Reformës Zgjedhore.
Madje kemi thënë se çdo kërkesë e opozitës për të cilën OSBE/ODIHR jep mbështetje, ka automatikisht edhe mbështetjen tonë”, ka deklaruar Rama në mbledhjen e grupit.