Në konferencën e përbashkët me Sekretarin Amerikan të Shtetit në Tiranë, kryeministri Edi Rama iu bëri thirrje autoriteteve të Prishtinës të mos bëjnë asnjë hap pa u koordinuar me aleatët tanë.
“Nga ana tjetër, patjetër që kemi folur për rajonin, ku kemi ndarë të njëjtat shqetësime. Shqipëria ka një politikë të dorës së shtrirë për të gjitha vendet e rajonit, ne jemi investuar që rajoni të shkojë përpara. Ne do të vazhdojmë ta nxisim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA kanë qenë janë dhe do të mbeten mbështetëse të palëkundura të njohjes së Kosovës. Është mirë që shqiptarët të mos e harrojnë se pa SHBA nuk do të kishte një shtet të pavarur të Kosovës dhe se interesi i SHBA në rajon për mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri e Kosovë, nuk është i dorës së dytë, as një interes i ndarë në çfarëdo aspekti, nga interesi ynë, për të ndërtuar një të ardhme në paqe për gjeneratat e tjera. Ne ndjehemi të keqardhur sa herë shohim hapa mbrapa. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësinë e rajonit, për dhimbjen e plagëve të një tragjedie jo shumë të largët të plagëve për ata që jetojnë në Kosovë. Po ashtu edhe për sulmin në Basnjë, Serbia nuk është se e ndihmon si duhet procesin. Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm që është në interesin tonë që të vazhdojmë me realizmin e kërkesave, që nuk janë as kërkesa që Kosova të lëshojë as një milimetër, por që bëjnë të mundur krijimin e një konteksti që e ngre lartë Kosovën, si një republikë që meriton respekt nga aleatët, pa të cilët e ardhmja bëhet shumë me largët dhe e tashmja shumë më e ndërlikuar. E përsëris apelin për autoritetet e Prishtinës që të mos bëjnë asnjë hap të pakoordinuar me të gjithë aleatët tanë strategjikë. Nga veprimet e pakoordinuara, mund të fitohen disa vota sot për sot, por nuk fitohet e ardhmja”, tha Rama.
Më tej, ai falënderoi sekretarin amerikan edhe për mbështetjen e dhënë gjatë misionit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.
“Më vjen shumë mirë që kjo vizitë koinçidon edhe me përfundimin e misionit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit. I shpreha falënderimin sekretarit për mbështetjen, por edhe mirënjohjen për mesazhin prekës që përcolli publikisht ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, për fjalët jashtëzakonisht pozitive që ajo ndau me publikun për mënyrën sesi Shqipëria arrita ta përfaqësojë veten, por edhe për mënyrën sesi arriti të përfaqësojë këtë komunitet shtetet që qëndrojnë së bashku për disa vlera e parime të panegociueshme. Dua ta falënderoj sekretarin edhe për një mbështetje që shihet pak, por që është e vazhdueshme për ecurinë e Shqipërinë në procesin e anëtarësimit në BE. Ky është një proces që varet nga çka bëjmë ne, por prej disa vitesh, ne e kemi ndjerë dhe e çmojmë shumë interesimin e DASH dhe faktin që në vazhdimësi sekretari në takimet me aleatët Europian nuk e lë pa e nënvizuar nevojën për ta shtyrë më tutje këtë proces”, tha Rama.