Kryesore Rama, batuta me Blinken: Keqardhje që ju zgjodhët ushqimin jo aq të...

Rama, batuta me Blinken: Keqardhje që ju zgjodhët ushqimin jo aq të shijshëm gjerman

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po mbyll vizitën e tij zyrtare në vend me konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit e falenderoi për mbështetjen e Blinken ndaj Shqipërisë si në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, misionin  e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e po ashtu në interesimin e vazhdueshëm për rajonin.

Siç bëri me dije kreu i qeverisë shqiptare, Sekretari i Shtetit do të niset menjëherë për një darkë pune në Mynih të Gjermanisë.

“Shumë i nderuar Sekretar i Shtetit, i dashur Tony është gjithnjë një ditë e shënuar me një rëndësi të veçantë në historinë e marrëdhënieve dita kur një Sekretar i Shtetit viziton vendin tonë. Në llogarinë tonë ju jeni i 6-ti, por këtë herë ne e kemi një vlerësim të veçantë për këtë vizitë sepse jemi të vetëdijshëm për kohën e trazuar jo vetëm në Europë, por edhe zona të tjera strategjike dhe rrjedhimisht për ngarkesën e axhendës tuaj dhe fakti që ju gjetët kohë dhe e patë të nevojshme të ndaleni në Tiranë, është për ne një shenjë shumë e rëndësishme e miqësisë po edhe e vlerësimit që ju i bëni kësaj miqësie, këtij partneriteti dhe patjetër rajonit. Natyrisht që nuk mund të mos e ndaj me publikun keqardhjen që mes një darke me ne dhe një darke në Mynih ju zgjodhët ushqimin jo aq të shijshëm gjerman, por ne tonën e bëmë. Darkën e kishim gati! Jemi shumë të nderuar sot nga vizita juaj dhe po ashtu e them pa asnjë zbukurim diplomatik që jam shumë i kënaqur nga bashkëbisedimi i hapur, i thellë dhe niveli i ndërveprimit e mirëkuptimit mes nesh. Faleminderit për mbështetjen e paçmuar nga SHBA-të dhe misioni në OKB për praninë tonë në Këshill dhe për suksesin e misionit tonë në dy vitet që qëndruam si anëtar jo i përhershëm, por edhe mirënjohjen për mesazhin prekës që përcolli publikisht ambasadorja e SHBA-së në OKB, për vlerësimin e lartë që i bëri misionit shqiptar, për fjalët jashtëzakonisht pozitive që ndau me publikun.

Për mënyrën si Shqipëria arriti të përfaqësojë veten, dhe të përfaqësojë këtë komunitet vendesh që qëndrojnë sëbashku për disa vlera e parime që për ne janë të panegociueshme. Dua publikisht ta falenderoj Sekretarin e Shtetit për një mbështetje që në fakt shihet pak, por është e vazhdueshme dhe e dobishme për ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Është një proces që varet nga çfarë bëjmë ne dhe gjykimi i aleatëve tanë, por prej disa vitesh kemi ndjerë interesimin e vazhdueshëm të administratës amerikane dhe të DASH e faktit që Sekretari në takimet e rëndësishme nuk e lë pa e nënvizuar dhe nevojën për ta shtyrë më tutje këtë proces si një interes strategjik të SHBA. Kemi folur për rajonin, kemi ndarë të njëjtat pikëpamje dhe të njëjtat shqetësime”, deklaroi Rama në konferencë me Blinken.