Politika Rama në Lushnjë: Myslim Murrizi, i vetmi me dy pare mend në...

Rama në Lushnjë: Myslim Murrizi, i vetmi me dy pare mend në kokë

Ndërkohë që në Tiranë opozita mbante të rrethuar Parlamentin, nga qyteti i Lushnjës Edi Rama ka ironizuar me vendimin e opozitës për të djegur mandatet e deputetëve. Për kreun e qeverisë, i vetmi që doli me mënd në kokë sipas tij ishte Myslim Murrizi.

Shefi i qeverisë tha ndër të tjera se vlerësonte shprehjen e Murrizit, se opozita u nis të rrëzonte Ramën, por i vetmi që rrëzoi ishte vetë deputeti i Lushnjës.

“Ku është dallimi mes nesh dhe atyre që sot janë arratisur nga detyra për të përfaqësuar demokratët e Lushnjës dhe të gjithë Shqipërisë, megjithëse demokratët e Lushnjës, nuk janë krejt të papërfaqësuar sepse ndodhi si ndodhi, unë nuk e di si ndodhi, por i vetmi me dy pare mend në kokë na doli Myslim Murrizi.

Sidoqoftë, thoni ç’të doni, por unë do kisha dashur ta kisha thënë unë, jo ai atë shprehjen “u nisën për të rrëzuar Edi Ramën dhe më rrëzuan mua”. Ky ishte revolucioni, revolucion për të rrëzuar Myslim Murrizin. Ajo që po thoja është mjafton të bëni krahasimin. Kjo që është sot jemi ne, ajo që ishte dje janë ata”, u shpreh Rama.

Më tej Rama u shpreh i vendosur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ndërsa tregoi edhe arsyen se përse e mori vendimin që të injorojë ish-deputetët e opozitës në studiot televizive.

“Nga çfarë mund të tërhiqemi nga kontrata që kemi me ju, që na dhatë votën të qeverisim të vetëm?! Ne nuk mund të tërhiqemi nga ky detyrim, apo që kemi marrë për ta çuar deri në fund reformën në drejtësi, aty fle lepuri i madh i frikës i atyre që vijnë te parlamenti për të protestuar. Ndërkohë që ishin në parlament, se i gënjen mendja se kur të japin llogari do të fshihen mes popullit. Ata zgjodhën të ikin, ne u urojmë udhë të mbarë, por do të pendohen se udha e tyre është e mbrapsht”.