Politika Rama: Në Tiranë është ndërtuar një pallat i tërë pa leje, do...

Rama: Në Tiranë është ndërtuar një pallat i tërë pa leje, do konfiskohet ose do shembet

Qeveria miratoi sot projektligjin për konfiskimin ose shembjen e kateve dhe metrave pa leje nëpër pallate dhe ndërtesa të tjera.

Gjatë një takimi me zyrtarë të Policisë së Shtetit ku u prezantua Drejtori i ri i Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, Kryeministri Edi Rama u shpreh i ashpër me ndërtuesit e këtyre objekteve pa leje.

Sipas tij, katet pa leje të ndërtuara do të konfiskohen dhe do të përdoren për strehim social, do t’u jepen institucioneve që janë në godina me qira ose do të shemben.

Ndër të tjera, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se në Tiranë është një pallat i tërë i ndërtuar pa leje.

E në këtë pikë ka kërkuar angazhim më të madh të trupës policore për kontrollin e territorit.

Kryeministri paralajmëroi edhe ndërtuesit e objekteve pa leje që mos tentojnë asnjë manipulim për katet pa leje, por t’i dhurojnë ose t’i parablejnë.

“Të gjitha katet apo metrat katrorë që do konfiskohen do shkojnë për strehim social apo mjedis pune për institucionet se kemi akoma institucione që paguajnë qira. Ndërkohë 4 apo 5 mijë metra katrorë janë këtu ngjitur me sheshin Skënderbej. Vend perfekt. Do t’i marrim ose do të na i japim. Ndërtuesit as mos tentojnë fare të përdorin klientët si pengje, as mos mendojnë që ka rrugëdalje tjetër përveç se pa leje. Nuk flasim për fshatarët që ndërtojnë murin e avllisë, nuk flasim për qytetarët që shtrojnë pllaka, flasim për milionerët që ndërtojnë kate pa leje. Shemben ose konfiskohen për interes publik, plus paguhet gjobë, plus shkohet për ndjekje penale.

E kemi miratuar pak kohë më parë. Sot në vendimin e qeverisë ju kemi dhënë të drejtën e parablerjes së metrave katrorë me çmimin real të tregut ashtu sikundër ju kemi dhënë dhe mundësinë ta dhurojnë si mënyrë për të larë pjesërisht mëkatin, ta dhurojnë për popullin dhe për shtetin, që t’i krijojnë mundësinë ligjërimit të objektit. O kështu ose shko dhe përballu me ligjin.

Fondi që do mblidhet do shkojë për shpronësime. Shpronësimet tek Unaza e Re duan lekë. Këto lekë nuk mjaftojnë për të gjitha, por një pjesë. Nëse këta shkelës milionerë do përdorin gjykatës të korruptuar për të bllokuar konfiskimin, ata do bllokojnë veten e tyre në çdo derë të këtij shteti dhe do shuhen si aktorë ekonomikë, do kenë pasoja shumë më të rënda se sa humbja apo riblerja, apo dhurimi i metrave shtesë që as ju takojnë fare. Boll më ndërto me teorinë e faktit të kryer dhe në fund futi një legalizim fitimeve marramendëse në rrugë të paligjshme. S’do ketë më kurrë legalizime për kate apo metra pa leje për qëllim fitimi. Godinat apo shtesat e ndërtuara pa leje vetëm mund të shemben ose konfiskohen në rast se nuk parablihen apo dhurohen.

Del që ka dhe një pallat komplet pa leje në Tiranë. Shefi i komisariatit në zonën ku është ndërtuar ai pallat nuk ka se si të jetë shef komisariati. Tani ai pallat ose do shembet ose do konfiskohet. Por çështja është që ka një zinxhir.

Zbatimin e ligjit në territor nuk e bën Kryeministri, as ministri i Brendshëm, as Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, por trupa që është aty”, deklaroi Rama.