Politika Rama: Nga Ermal Dredha te deputetët, të gjithë të veshin uniformën dhe...

Rama: Nga Ermal Dredha te deputetët, të gjithë të veshin uniformën dhe 8 orë në ditë të pastrojnë Vlorën

Marrëdhëniet e kryeministrit Edi Rama me ish-kryebashkiakun Dritan Leli nuk janë përmirësuar dhe kjo u pa fare qartë edhe në takimin e sotëm falënderues që kreu i qeverisë pati në qytetin bregdetar. Rama tha se me fitoren e Ermal Dredhës në 14 maj, Bashkia e Vlorës do të futet në një marzh krejtësisht tjetër.

Me një gjuhë që e ka përdorur edhe për Shkodrën e drejtuar nga demokratët, edhe për Vlorën e socialistit Leli, Rama tha se qyteti ka qenë i mbushur me plehra. Për këtë arsye, “urdhëroi” që çdo ndërmarrje në Bashki, nisur nga vetë kryetari Ermal Dredha dhe deputetët, në muajin gusht do të duhet të punojnë 8 orë në pastrimin e qytetit.

“Ermali të marrë në krah të gjithë ata që duhen marrë në krah dhe ta bëjë Vlorën qytetin më të pastër, por jo vitin tjetër. Duke filluar këtë sezon, nga çdo ditë e çdo natë, kryetar i Bashkimit me të gjithë, qoftë gjelbërimi, pastrimi, planifikimi të dalin të pastrojnë Vlorën, bashkë me deputetët se s’kemi parlament në gusht, merrni një uniformë pastrimi dhe punoni për Vlorën sepse Vlora duhet të largohet nga plehrat, nga kazanët me plehra që janë një shëmti e madhe dhe nuk justifikohen me asgjë, se nuk është Kina, një pëllëmb vend është për të mos mbajtur pastër dhe pastaj me radhë të gjitha të tjera”, shtoi kreu i qeverisë.

Marrëdhënia e Ramës me Lelin u kris pasi ky i fundit nuk pranoi mandatin e deputetit për Vlorën, për rrjedhojë e largoi nga PS.