Kulturë Elhaida Dani flet për rritjen në një familje patriarkale dhe pse do...

Elhaida Dani flet për rritjen në një familje patriarkale dhe pse do ta përmendë gjithmonë babain e saj

Elhaida Dani rrëfeu në një intervistë me kryeministrin Edi Rama në podkastin e tij “Flasim” se rritja në një familje patriarkale nuk ka qenë e thjeshtë, ndonëse për fat të mirë përjetoi një ndryshim radikal në jetën e saj kur zbuloi pasionin për muzikën.

“Ndërkohë që, nga kjo familje patriarkale që normalisht një vajzë edhe me talent, duhet te kishte pasur ndrydhjen e peshës së patriarkëve ose të patriarkut dhe të bashkëpunëtoreve të tij vëllezërve, rezulton që ka dalë një baba, i cili ka bërë çdo gjë që vajza të shihet, të admirohet nga gjithë çunat e botës dhe të shkëlqejë, duke i parë të gjithë çunat e botës nga lart-poshtë”, e pyeti Rama.

“Është nga ndryshimet më të mëdha të jetës time sepse kam lindur në një familje patriarkale, siç janë shumica mund të them, e familjeve shqiptare sot. Dhe prandaj ndoshta kam pasur një karakter kaq të ndrydhur. Nuk flisja, nuk hapesha, nuk tregoja me të vërtet vetveten duke u rritur sepse nuk e mendoja që opinioni im mund të kishte rëndësi. Dhe është një problem që shumë vajza e kanë sot në Shqipëri. Kështu që, më ka ndodhur një ndryshim radikal në jetën time në moshën 19-vjeçare kur vendosa të iki në Itali sepse babai im, është e vërtet patriarkal fanatik, këto mbiemra mund t’i jap, por kur kuptoi që unë kisha një talent për muzikën, aty tha ‘nuk mund ta ndrydh’”, – u shpreh Elhaida.

Në vijim të bisedës, ajo shtoi:

“Nëse do të flasim për mua, i vetmi person, ndër të vetmit persona që duhet të përmend gjithmonë është babi im. […] Në momentin që pa që kam diçka për të cilën dua të “luftoj”, më shtyu, ma dha karakterin e tij dhe më tha unë do të të ndjek kudo që të jesh. Dhe mbaj mend më shoqëronte në çdo audicion, nga Shkodra në Tiranë. Priste orë e orë e orë të tëra në makinë që unë të mbaroja audicionet ose unë të mbaroja provat dhe gjendja ekonomike nuk ishte e mirë. Më shoqëronte nëpër audicione nëpër Europë, aty ku pastaj njoha njerëzit që më ftuan të bëj “The Voice of Italy”. Niste makinën, një Golf të vjetër dhe ecte 15 orë në ditë, duke mos ngrënë sepse do e zinte gjumi pastaj dhe s’do kishte energji. Babai im është hero. Ndoshta për çdo vajzë.”

Për momentin, Elhaida ndodhet në Shqipëri sepse është pjesë e kastit të shfaqjes “Notre-Dame de Paris”, shfaqja më e suksesshme në Europë, ku luan rolin e Esmeraldës. Muzikali, me muzikë të Riccardo Cocciante dhe bazuar në romanin e Viktor Hygo, vjen për herë të parë në Shqipëri.