Kryesore Rama nga Kievi: Do të ndërtojmë bllok banesash për familjet në Irpin

Rama nga Kievi: Do të ndërtojmë bllok banesash për familjet në Irpin

Kryeministri Edi Rama tha nga Kievi në një konferencë për shtyp me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, se Shqipëria së bashku me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, do të ndërtojnë një bllok banesash në qytetin e Irpin në Ukrainë, që është shkatërruar nga lufta. Ndër të tjera, Rama tha se Shqipëria mbështet Ukrainën në kërkesën e saj për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE.

I shoqëruar në këtë vizitë nga Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kryeministri Rama e konsideroi situatën në Ukrainë “tmerr të përmasave të skajshme”.

Gjatë vizitë në Ukrainë, kreu i qeverisë shqiptare pa nga afër edhe shkatërrimet në Irpin, një nga qytetet e goditura nga forcat ruse. E në këtë aspekt, Rama u shpreh se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit do të kontribuojnë për të ndërtuar në këtë qytet secili shtet nga një ndërtesë për familjet që u janë shkatërruar banesat.

“Personalisht hezitoja të vija sepse përmasat e këtij tmerri janë të skajshme dhe mundësia që ka Shqipëria për të ndryshuar fatin e kësaj lufte nuk është aspak e mjaftueshme. Por në të njëjtën kohë nuk mund të mos i përgjigjesha ftesës suaj e nuk mund ta humbnim këtë moment me ju. Jam mirënjohës për mikpritjen bujare dhe për dëshirën për të ndarë me ne një pjesë mjaft të vogël të realiteti që më parë e kemi parë përmes fotove.

Jam vërtetë i lumtur që ratë dakord me propozimin tonë për të bashkuar përpjekjet e për të ndërtuar një bllok secili prej vendeve ndërtesën e tij për familjet dhe fëmijët e Irpinit. BE e shumë të tjerë janë tashmë pjesë e kësaj përpjekje por le ta bëjmë në mënyrë ballkanike pa shumë burokraci, të jemi të parët që e bëjmë këtë gjë.

Nga ana tjetër gjendemi këtu të shprehim mbështetjen e plotë të idesë suaj dhe kërkesë suaj në emër të popullit ukrainas që BE t’i japi Ukrainës statusin e vendit kandidat. Jemi më shumë se të lumtur që t’i bashkojmë emrat tanë me tuajin në këtë deklaratë të përbashkët pasi nuk duam që askush të spekulojë me faktin që BE nuk e ka mbajtur fjalën për ne dhe ndoshta nuk do të ndihemi mirë që realizon diçka për Ukrainën. Jo nuk është kështu. Këto janë dy çështje krejt të ndara.

Natyrisht ne nuk jemi të kënaqur me BE. Por jemi plotësisht të angazhuar ndaj rrugëtimit europian për shkak të së ardhmes së brezave tanë të ardhshëm. E kuptojmë këtë dëshirë të zjarrtë të Ukrainës për ta pasur këtë gjë. Nga ana jonë keni mbështetje të plotë për këtë. Jam krenar të ndaj me ju që Shqipëria si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe bashkënismëtare për rezolutën e OKB bashkë me SHBA është e privilegjuar t’i japë zë rreth asaj tryeze shqetësimeve dhe kërkesave të popullit Ukrainës për një paqe të drejtë”, u shpreh Rama.