Kryeministri Edi Rama ka rikonfirmuar Erion Veliajn si kandidat për Bashkinë e Tiranës.
Në pjesën e dytë të Kongresit të Partisë Socialiste, nga sheshi “Nënë Tereza”, Rama ka kërkuar një mandat të dytë për Veliajn.
Ndërsa PD-në e cilësoi si “sheshi i vjetër në qendër të Tiranës, LSI shatërvani në bisht”.
“PD si sheshi i vjetër në qendër. LSI si shatërvani i vjetër në bisht. Aleatët si kjoskat e rritura ndër vite shtesë pas shtese. Ky qytet është mishërimi i forcës sonë transformuese”
“Kjo Tiranë që kemi sot s’ka asnjë lidhje me atë që ju sapo patë me sytë e kujtesës. Ky qytet është një pasqyrë e dëshirës sonë për ndryshimin. Është një provë e dallimit të madh mes nesh e atyre që i kemi mbrapa. Kush e vë këtë në dyshim, ose s’ka dalë nga nata e tyre ose e ka harruar natën e tyre se çfarë ishte kur ata kishin në dorë Shqipërinë dhe Tiranën. Dita jonë do të jetë patjetër shumë më e mirë, padiskutim. Tirana jonë sot, ashtu si çdo qytet tjetër që ne qeverisim, s’ka të krahasuar me çka ishte përpara se ne ta merrnim në dorë, s’ka të krahasuar me më përpara se sa ne t’i merrnim në dorë të dyja. Pa këtë sinergji kjo ditë do të kishte shumë më pak dritë. Po njësoj do ta rilindim edhe Piramidën me një program fantastik, zhvillimor dhe argëtues. Sot Tirana europiane është një realitet në formim e sipër falë punës sonë. Ju kam thënë këtu e 4 vjet më parë, na jepni një mandat për Tiranën. Ja ku jemi sot këtu në Tiranë. Mund të tregojmë me gisht një nga një, që besoj janë të mjaftueshme për të kërkuar një mandat të ri për Erionin dhe Partinë Socialiste në Tiranë për 4 vjet të tjera për të bërë 4-fishin e punës”.
Kryeministri kërkoi nga Bashkitë që drejtohen nga Partia Demokratike, të tilla si Shkodra e Lezha etj, t’i japin votën Partisë Socialiste.
Ndërsa për ato Bashki që janë nën drejtimin e LSI, si Gjirokastra e Berati, nuk pati asnjë kërkesë, por u shpreh i bindur së të nesërmen e zgjedhjeve të 30 Qershorit do të zgjohen majtas.
Protestat dhe sulmet e opozitës, Rama thotë se u erdhi fundi. Që sot, sipas Kryeministrit, do të nisë ofensiva ftontale.
“Sot nis pa dorashka beteja jonë për 30 Qershorin e socialistëve. Sot mbaron ecja jonë në majë të gishtave dhe nis një ofensivë frontale. Kohët e fundit ne kemi kafshuar shumë shpesh gjuhën. I kemi parë kur kanë sulmuar parlamentin duke e gjymtuar fizikisht me aktin e tradhëtisë ndaj zgjedhëse. I kemi parë kur kanë sulmuar qeverinë duke eksportuar nëpër botë shfaqet e turpshme të dhunës së vulgut. I kemi parë kur kanë sulmuar Policinë e Shtetit, kur kanë sulmuar prokurorët dhe gjyqtarët që kanë kaluar reformën. Nuk ua kemi kthyer sy për sy dhe as dhëmbë për dhëmbë. Kemi duruar pafund. U kemi ofruar sa kemi mundur bashkëpunim për reformën zgjedhore dhe jo vetëm. U kemi duruar baltën, vezët dhe bojën e dëshpërimit të tyre mbi fytyrat tona. Por e gjitha ka qenë e kotë. Në vend që të na sfidonin në fushën e demokracisë, kanë zgjedhur të na gjuajnë me gurë. Nëse ata s’e kanë për gjë t’i tradhëtojnë zgjedhësit e tyre, ne nuk kemi mandat për të lëshuar nga dora, por vetëm kontratë për të zbatuar dorë për dore me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi”.