Kryeministri Edi Rama ishte në Spitalin Infektiv këtë të martë. Teksa u dha mjekëve lajmin e mirë që qeveria po përgatitet të përgatitet të rrisë konsiderueshëm rrogat e tyre dhe të mjekëve, kryeministri u ndal edhe tek situata e pandemisë.
Ai u ktheu përgjigje akuzave të kritikëve, duke thënë se “mjekët meritojnë respekt dhe jo baltë”. Kreu i qeverisë përsëriti se sfida përballë Covid është e madhe publike. Megjithatë në luftën ndaj tij sheh edhe qytetarët e thjeshtë.
“Kjo nuk është një betejë që zhvillohet thjesht në spital, por zhvillohet çdo ditë dhe çdokush duhet të bëjë rolin e tij. Virusi, ju e keni thënë qysh në fillim, nuk ka ardhur për të ikur, as për tre javë, as për katër javë, por është këtu me ne për një periudhë që askush nuk e di sa do zgjasë. Duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me këtë dinamikë të re të jetës sociale sepse nuk ia bëjmë dot ndryshe”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se mbyllja është një opsion që nuk mund të zgjidhet në mënyrë të vazhdueshme. Kjo për shkak të pasojave që sjell në ekonomi dhe psikologjinë e njerëzve.
“Nuk zgjedhim dot mbylljen në mënyrë të vazhdueshme sepse sjell dëme në aspekte të tjera”, tha Rama.
Sfida e Ramës për kryeministrin është shkolla dhe këtë e ka edhe si kryetar qeverie, por edhe në aspektin personal me djalin e tij të vogël Zahon.
“Kemi tani këtë sfidë të madhe të hapjes së shkollave. Fëmijët janë më pak të riskuar, por jo të imunizuar. Plus që fëmijët janë transmetues. Ne kemi çunin që do shkojë në klasë të parë. Një fëmijë me maskë, mos u përqafo, rri larg vendoset në një situatë që është komplet e panjohur në pikëpamjen e pasojave dhe zakoneve që krijon”, tha Rama.
“Kemi rezervuar vaksinën kundër Covid-19″
Ai u shpreh më tej se do të ofrohet vaksinimi falas për gripin e thjeshtë, ndërkohë që shtoi se që tashmë është bërë një rezervim për vaksinën kur të dalë.
“Ajo që vlen të thuhet është që nuk e kemi zgjedhur, na ka zgjedhur. E di shumë mirë se jemi në kontakt të vazhdueshëm me ministren, se çfarë është bërë kur vjen gripi i stinës. Kemi marrë masat për të rritur kapacitetet vaksinuese, që të lehtësojmë gripin e stinës. Kemi vendosur një financim të konsiderueshëm. Kemi bërë rezervim për vaksinën kur do të dalë. Pa llogaritur kompetentët e Facebook, që flasin për çipa, që do ju përgjojnë, ku do shkojnë, çfarë do bëjnë, që janë fantazi e çmendur.” – tha ndër të tjera kryeministri.
Ndërkohë shefja e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, tha se nga dita e sotme nis trajtimi me plazmë i disa pacientëve.