Bota Greqia tregon forcën ndaj Turqisë, nxjerr avionët në Kretë (VIDEO+FOTO)

Greqia tregon forcën ndaj Turqisë, nxjerr avionët në Kretë (VIDEO+FOTO)

Greqia ka nisur stërvitjen ushtarake në zonën pranë ku janë shtuar tensionet me Turqinë pas kërkimeve të këtyre të fundit për gaz dhe naftë. Në bashkëpunim me forcat amerikane, grekët kanë nisur disa prej forcave ajrore dhe ujore në jug të Kretës.

Në stërvitje përfshihet një frigatë, një nëndetëse dhe 6 avionë F-16. Ndërkohë amerikanët kanë në dispozicion anijen Destroyer USS Winston Churchill dhe disa helikopterë.

Sipas mediave greke, qëllimi i stërvitjes është forcimi i mbrojtjes ajrore, komunikimit, shkëmbimit të informacioneve, bashkëpunimet me helikopterë etj. Nëpër media janë shpërndarë pamjet nga ky aksion i ushtrisë që më shumë se sa stërvitje duket si tregues force ndaj Turqisë.

Stërvitja ushtarake do të zhvillohet deri më datë 27 Gusht.  Autoritetet kanë sqaruar se gjatë këtyre ditëve trajnimi nuk do të përdoren armët e zjarrit.

Kjo lëvizje e Greqisë vjen pasi Turqia po kërkon për gaz në një zonë të diskutueshme mes të dy shteteve.

Një nga problemet është se Turqia dhe Libia kishin rënë dakord për ndarjen e zonave të tyre ekonomike në Mesdhe, por kjo bie në kundërshtim me një marrëveshje të ngjashme midis Greqisë dhe Egjiptit.

Ndërkohë Gjermania dhe SHBA-ja janë përpjekur gjatë kësaj kohe që të ulin tensionet.