Kryeministri Edi Rama gjatë një lidhje live në Facebook u ktheu përgjigje qytetarëve pas pyetjeve të tyre në lidhje me situatën e krijuar pas rasteve me koronavirus në vendin tonë.
Kreu i qeverisë, deklaroi se qendrat tregtare do të vazhdojnë japin shërbime vetëm për ushqimet dhe sektorin e farmaceutikës. Çdo sektor tjetër, kreu i qeverisë tha se do të mbyllen në mënyrë që të mbrohen të gjithë njerëzit.
“Do të pezullohen të gjitha aktivitetet brenda qendrave tregtare që nuk janë të lidhura me shërbimin ushqimor dhe farmaceutik. Pra dyqane rrobash, parfumesh do të mbyllen, që të ruhen dhe të mbrohen të gjithë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se ushqimoret do të jenë gjatë gjithë kohës hapur. Prandaj ai u bëri thirrje njerëzve që të mos mbajnë radhë për blerjen e bukës.
“Çdo strukturë për ushqimet do të jetë e hapur. Nuk është e nevojshme, por e dëmshme që të shkojmë dhe të marrim me radhë furrat e bukës dhe të marrim bukë në shtëpi.
Problemet e bukës dhe të medikamenteve do të jetë e mundur që të lëvizet. Nuk ka probleme, i gjithë zinxhiri ekonomik do të mbahet për këtë fazë ku jemi.
Dhe në të gjitha rastet edhe sikur bota të jetë duke mbaruar nesër mbrëma, nesër paradite ushqimoret, farmacitë dhe furrat e bukës do të jenë të hapura. Mos dëgjoni zërat apo ato thirrjet alla tërmet. Nuk do të ndryshojë asgjë në këtë drejtim”, tha Rama.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se nuk do të pezullohet ecja në këmbë. Mirëpo ai sugjeroi që të mos ketë grumbullime njerëzish.
“Ecja në këmbë nuk do të pezullohet, por nuk është e këshillueshme në grup. Nuk është e këshillueshme që familjet të grumbullohen tek kodrat e liqenit”, tha Rama.
Për sa i përket fluturimeve, Rama tha se do të vazhdojnë me të gjitha shtetet përveç Italisë dhe Amerikës, e cila ka anuluar udhëtimet me Europën. Sipas kryeministrit, masat japin mundësi të ngadalësojmë përhapjen e koronavirusit në vendin tonë.