Kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale pasi PE miratoi mbrëmjen e së enjtes amendamentin e Partive Popullore Europiane, për përmendjen edhe njëherë të 15 kushteve për hapjen e negociatave të Shqipërisë.
“Po mirë, kur paska 15 kushte për nisjen formale të negociatave për anëtarësim, për çfarë duhej kjo rezoluta e partive aleate të PD në Parlamentin Europian që u votua pa konsensus”, pyet Rama.
Ai shton më tej se nuk ka 15 kushte për uljen në tryezë për bisedimet. Gjithsesi sipas tij, ata që kapen pas këtyre kushteve do të mbeten në opozitë.
“E pra, nuk ka 15 kushte për uljen në tryezë me BE, sepse 7X7 s’bëjnë 42 në asnjë vend të botës! Dhe nëse pastaj kjo 15-ta duhet për politikë e prandaj bashkohen kushtet e fillimit me ato të vijimit, atëherë nuk janë 15 po janë 15X100 kushte më shumë për t’u plotësuar deri ditën e anëtarësimit! Po një gjë është e sigurtë: Këta që kapen pas kësaj 15-ës do mbeten në opozitë”, shkruan Rama.