Teksa konfirmoi se sistemi TIMS është rikthyer në pikat kufitare që prej mëngjesit të së dielës, Kryeministri Edi Rama garantoi, se nga sulmi kibernetik nuk ka pasur rrjedhje serioze të dhënash.
“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”.
Sipas kryeministrit, Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim shumë të dobishëm duke iu përgjigjur pretendimeve pas sulmit.
“Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë dhe kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare, Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm!”
Për rikthimin e sistemit TIMS në pikat kufitare ka reaguar edhe Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, teksa ka falenderuar partnerët amerikanë që kanë qenë pranë edhe në këtë rast e që sipas tij po bëjnë çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më të sigurtë.