Pas takimit në Kryesinë e Kuvendit me Enkelejd Alibeajn, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka dhënë një prononcim për mediat. Gjatë fjalës së tij, Balla ka deklaruar se është vendosur që ditën e nesërme në orën 10:00 të zhvillohet një tjetër diskutim i hapur në praninë e mediave me Alibeajn.
Taulant Balla: Shpresoj që nga ana e grupit parlamentar të PD të ketë fleksibilitet. Unë kam shprehur gatishmërinë për të diskutuar me parimin që të drejtën e propozimit ta kenë të gjitha palët. Nuk dua të komentoj më shumë sepse unë mendoj që është diçka e mirë që ne kemi mundësinë që të komunikojmë dhe besoj se gjithmonë nga dialogu dhe konsensusi vijnë produkte pozitive. Unë po them që sot ka pasur Konferencë Kryetarësh dhe kam propozuar që të takohemi në orën 18:00 dhe kemi qenë të dy të përpiktë për të vijuar takimin. Z. Alibeaj ka kërkuar që ky negocim të zhvillohet me praninë e mediave. Kështu që nesër merrni masat dhe të jeni dhe ju prezent për ta dëgjuar publikisht pozicionin. Unë pozicionin tim e kam thënë shumë qartë sot, do ta them dhe nesër. Nëse ka fleksibilitet diçka që është themelore, besoj që mund të kemi ecuri në këtë proces. Duhet të zbresim tek emrat. Opozita të vijë me propozime. A i ka opozita 20 firma për të propozuar 1 kandidat?! Nëse i kanë të bëjnë propozimin. Këto negociatat me shkresa nuk sjellin shumë produkt konkret.
Gjatë fjalës së tij, Balla është shprehur se kryeministri Rama nuk ka vendosur asnjë vijë të kuqe përsa i përket zgjedhjes së presidentit.
“Edi Rama nuk ka vendosur asnjë vijë të kuqe, por ka cituar nenin përkatës të Kushtetutës. Kushtetuta është përmirësuar me një mekanizëm zhbllokues, ky proces e kemi thënë kryhet në tre raundet e para, në raundin e katër kushtetuta i jep të drejtën shumicës. I ka kujtuar se asnjë prej palëve nuk krijon dot krizë politike. Ky proces kryhet përgjatë 3 raundeve të para, në raundin e 4, Kushtetuta i jep të drejtë shumicës. Ajo që kryeministri ka thënë është se Shqipëria ka nevojë për një president të të gjithë shqiptarëve”, tha Balla.
I pyetur nëse në takim do të jenë Mesila Doda dhe Fatmir Mediu, Balla ka thënë se dëshiron që të 4 grupet të jenë të përfshira, por ka shtuar se kjo i takon Alibeajt ta vendos nëse dëshiron që dhe 2 grupet e tjera opozitare PDIU dhe Partia Republikane të jenë të pranishme.
“Unë ju them që ky takim tani ishte një takim publik, i hapur dhe unë dua që të jetë një proces që të kemi mundësinë që dhe PD të thotë pozicionin e vet. Ky është një takim me PD dhe unë shpresoj që të kalojmë në takime më të gjera, dëshira jonë është të 4 grupet të jenë të përfshira. Nëse Alibeaj është dakord që të jenë, le ta thotë këtu”.