Kryesore Rama: Nuk kanë asnjë shans që ta rrëzojnë qeverinë

Rama: Nuk kanë asnjë shans që ta rrëzojnë qeverinë

Në daljen e tij para medias, pas protestës së dhunshme të opozitës mbrëmjen e djeshme, kryeministri Edi Rama përsëriti këtë të diel se opozita nuk ka shanse që ta rrëzojë një qeveri të dalë nga zgjedhjet ku ishte edhe vetë në qeveri.

“Nuk ka shans që të rrëzosh një qeveri të dalë nga zgjedhjet, ku ti ke qenë pjesë e qeverisë. S’ka ndodhur askund dhe nuk ka për të ndodhur as këtu. Natyrisht unë e di që synimi është gjetkë, synimi është që të vendoset vendi në kushte pamundësie dhe të shkatërrohet themeli i rendit kushtetues, procesi zgjedhor, për të konfirmuar se, o ne në pushtet, ose këtu qamet. Nuk do t’ia dalin. Ju siguroj. Çdo protestë janë gjithnjë e më pak.

Nuk goditet qeveria, jo nga 7 orë, por as nga 70, as nga 700, as nga 7000 orë kapsolla dhe bomba molotov, por goditen ato vajza dhe djem të pafajshëm. Kush fitoi nga përhapja në pasqyrat e medias së të gjithë botës? Kush fitoi? Kush? Kush humbi? Humbi gjithkush…”, tha Rama.

Rama tha se dy policët që qëlluan me shkop gome Sekretarin Organizativ të PD, Sahit Dollapi, e kishin tepruar, por shtoi se i mirëkuptonte, duke qenë se kishin “7 orë nën zjarr”.

Kreu i ekzekutivit tha se policia, me sjelljen profesionale gjatë të gjithë këtij zinxhiri protestash, ka vendosur një standard të ri për sjelljen e uniformave blu që pas rënies së komunizmit.

“Po, do të kishte qenë absolutisht perfeksion i gjithë qëndrimi i policisë në 7 orë sulme, nëse në ato 2-3 sekonda 2 punonjës policie nuk do të kishte goditur me shkop gome dikë që i iku policisë me vrap dhe dikush që ikën me vrap, ka një arsye pse ikën me vrap. Në vende më të zhvilluara do ta kishte pësuar shumë më keq. Të veprosh në ato kushte, të jesh nën flakë dhe nën gurë për 7 orë, duke qenë nën uniformën e Policisë së Shtetit, nuk janë kushtet më optimale për të qenë të qetë. Kështu që unë i mirëkuptoj edhe ata dy punonjës policie që bënë një veprim të tepërt, por të tepërt për ne duke e gjykuar nga ekrani, ama turp më të madh dhe hipokrizi më të madhe dhe përqeshje më të madhe me shqiptarët, që atë incident ta kthesh në një histeri për të provuar se në 7 orë ishte Policia e Shtetit shkaktarja e gjithë asaj që pamë, nuk ka”, deklaroi kryeministri Rama.