Pakënaqësia e Athinës për takimin e kryeministrit Edi Rama me shqiptarët e Greqisë, nuk e ka ndryshuar axhendën e kreut të qeverisë.
Këtë të shtunë Rama ka kujtuar sërish bashkatdhetarët në Greqi se më 12 maj do të jetë në Athinë, ku do të zhvilloj një takim me shqiptarët që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj, në kuadër të rienergjizimit të Partisë Socialiste dhe përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2025-ës.
“Në 12 Maj nisim nga Athina rrugëtimin e pranverës në diasporë, “Krenar për Shqipërinë”, ku do të ishte kënaqësi e posaçme të takoheshim’, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Pak ditë me parë mediat greke kanë njoftuar se kryeministri grek Qirjako Micotaqis është i shqetësuar për prezencën e homologut shqiptar në Athinë më 12 Maj, pasi mund të ndikojë tek vota e shqiptarëve për zgjedhjet e eurodeputetëve grekë. Burime diplomatike greke shpreheshin se do të ishte e preferueshme që vizita e Ramës të shtyhej në një kohë tjetër neutrale në mënyrë që pala shqiptare të mos përfshihet në periudhën parazgjedhore në Greqi.
Megjithatë, kryeministri Rama rikonfirmon se nuk ka asnjë tërheqje as nga data dhe as nga vendi i takimit në Greqi.
Sipas planit të deritanishëm kreu i qeverisë shqiptare nuk pritet të ketë asnjë takim zyrtar me qeveritarët grekë. Më 12 Maj ai do t’i drejtohet një auditori prej rreth 5000 bashkatdhetarësh, të cilët do të mblidhen në sallën e lojrave olimpike në lagjen Galatsi.
Athina do të jetë ndalesa e parë e turit elektoral të Ramës, me zgjedhjet kombëtare shqiptare në horizont, me moton “Rigjallërimi i Diasporës 2030” dhe sloganin “Krenar për Shqipërinë”. Ndalesa e tij e radhës është Milano më 26 maj. Në muajin qershor Rama viziton Londrën dhe më pas Mynihun dhe diasporën shqiptare në Nju Jork.